Teuta-Tirana ndahen në “paqe” në “Niko Dovana” në takimin e javës së dytë të Kategorisë Superiore që u mbyll me barazimin 2-2.
Teuta merr pikën e parë të sezonit si dhe zhvillon ndeshjen e parë, pasi takimi i javës së parë ku përballë kishte Partizanin u shty.
Tirana nga ana tjetër që vinte në këtë sfidë pas fitores 2-3 ndaj Dinamos, nuk ia del të marrë më shumë se një pikë ndaj “Djemve të Detit”.
Ishte Hasani ai i cili zhbllokoi sfidën, duke realizuar në minutën e 4’ dhe duke kaluar miqtë në avantazh.
Megjithatë avantazhi i kryeqytetasve zgjati vetëm gjashtë minuta, pasi “Djemtë e Detit” fituan penallti, që u ekzekutua më së miri nga Fili, duke i dhënë barazimin ekipit të tij.
Ndërsa në minutën e 20’ Gjinollari gjeti rrugën drejt rrjetës dhe kaloi Teutën në avantazh dhe pavarësisht tentativave nga Tirana, pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-1.
Gjithçka ndryshoi në fraksionin e dytë, më saktë në minutën e 59’ Najdovski realizoi për miqtë dhe riktheu barazimin.
Në fund gjithçka u mbyll me rezultatin 2-2, me Teutën që pas javës së dytë renditet në vend të gjashtë me një pikë, teksa Tirana në vend të tretë me katër pikë.