Teuta nuk arriti të shfrytëzonte as penalltinë dhe as epërsinë numerike që pati gjatë gjithë pjesës së dytë, duke e mbyllur pa gola, 0-0, përballjen me Partizanin. Trajneri Edlir Tetova e nisi kështu me një barazim aventurën e tij në Superiore në stolin e Teutës, ndërsa pas ndeshjes dha vlerësimin e tij për mediat.
Të lidhura
None found
Sipas Tetovës, Partizani e kontrolloi më mirë fillimin e takimit. “Në rreth 15 minutat e para kundërshtari ishte më dominues dhe nuk na lejoi të zhvillonim manovrën tonë. Ne zbritëm deri te numri ‘6’, Wotlai, dhe më pas arritëm ta merrnim kontrollin e lojës”, u shpreh ai.
Trajneri i Teutës pranoi se skuadra e tij pati mangësi në organizimin e aksioneve dhe në kërkimin e golit. Ai theksoi se fusha dhe temperaturat e larta ndikuan në ritmin e lojës, ndërsa në pjesën e dytë kërkoi që ekipi të kalonte me një stacion.
“Në manovër ishim të cunguar dhe mendoj se kam ende punë për t’i bindur lojtarët të shkojnë më shumë drejt golit. Fusha ndikoi, pasi mungoi shpejtësia në veprime. Kushtet e kësaj fushe dhe vapa patën ndikimin e tyre. Në pjesën e dytë kërkova të luanim me një stacion”, deklaroi Tetova.
Ai shtoi se vendosja e Partizanit me skemën 5-3-1 e vështirësoi lojën, ndërsa përmendi nevojën për përmirësime në krosime. “Kishte momente që mund t’i shfrytëzonim dhe na duhej edhe pak fat. Duhet të përmirësohemi në krosime. Nga krahu i djathtë pati krosime, por ato nuk shkuan në linjën tjetër”, tha trajneri.
Për humbjen e penalltisë, Tetova u shpreh se ishte një moment zhgënjyes, por kujtoi se edhe futbollistë të mëdhenj kanë gabuar nga pika e bardhë. “Humbja e penalltisë na mërziti, por kanë gabuar edhe lojtarë të mëdhenj. Sigurisht që ka shumë punë për të bërë dhe lojtarët duhet të binden për atë që duhet të bëjmë. Mendoj se do të shkojmë në rrugë të mbarë”, përfundoi ai.
