Tetë ekipe shqiptare në Conference League, mësoni kundërshtarët dhe datat e sfidave

Për ekipet shqiptare të Kategorisë Superiore mund të quhet sukses kalimi i 3 ekipeve në raundin e dytë të Conference League që duke shtuar edhe Teutën që vjen nga eliminimi në raundin e parë të Champions League bëhen katër por në fakt janë më shumë, janë 8 skuadra shqiptare.

Në raundin e dytë do të luajnë edhe dy ekipet shqiptare të Maqedonisë së Veriut si Shkëndija dhe Shkupi dhe dy ekipet shqiptare të Kosovës, Drita dhe Prishtina.

Raundi i dytë ka një vështirësi më të madhe dhe në fakt rivalët për skuadrat shqiptare janë të fortë ndaj t’i marrim me radhë.

E para që do të luajë do të jetë Prishtina më 20 Korrik për shkak të stadiumit pasi në “Fadil Vokrri” do të luajë edhe Drita dy ditë më vonë. Ekipi bardheblu do të ketë përballë kampionët e Uellsit, Connah’s Quay Nomads në orën 18:00 dhe është një rival i kalueshëm në letër.

Më pas më 22 Korrik, të Enjten e ardhshme do të kemi të gjitha skuadrat e tjera shqiptare, pothuajse të gjitha në orën 18:00.

Vllaznia që mori një superkualifikim ndaj Siroki Brijeg do të luajë shanset e saj ndaj qipriotëve të AEL Limassol, një rival i vështirë por i kalueshëm dhe sfida e parë do të luhet në transfertë dhe shkodranët një javë më pas do të kenë ndihmën sërish të tifozëve për të arritur kualifikimin.

Po në orën 18:00, Partizani do të luajë ndaj Baselit, prova më e vështirë për një ekip shqiptar, teksa sfida e parë do të luhet në Zvicër. Të kuqtë në letër kanë pak shanse ndaj një ekipi që ka luajtur në Champions sistematikisht por 2 vitet e fundit nuk ka treguar nivel të lartë, ndaj mund të tentojë.

Drita e Kosovës do të ketë një super rival, Feyenoordin dhe sfida e parë do të luhet në Prishtinë dhe shanset në letër janë të pakta për ekipin dardan.

Po në orën 18:00, Shkupi do të përballet me Santa Clarën, ekip portugez, i forte por edhe mund të kalohet pas 180 minutave lojë.

Kampionët e Shqipërisë, Teuta ka shortin më të lehtë pasi do të luajë ndaj Inter d’Escaldes, ekipi nga Andorra që nuk duhet diskutuar nga durrsakët.

Shkëndija e Tetovës do të ketë përballë në ndeshjen e parë, kampionët e Letonisë, Riga që për ekipin tetovar është skuadër e kalueshme.

E fundit nga ekipet shqiptare është Laçi që ka një prove të vështirë në Rumani në ndeshjen e parë ndaj Universitatea Craiovas, që sezonin e kaluar u rendit e treta në kampionat.


Shtuar 17.07.2021 20:56