Aurelien Tchouameni dhe Fede Valverde dhanë sinjale se përplasja e raportuar mes tyre i përket së kaluarës, pasi u aktivizuan së bashku për Real Madridin në takimin kundër Elches.
Të lidhura
None found
Pas fitores së skuadrës madrilene në sekondat e fundit, dy mesfushorët u përqafuan dhe përgëzuan njëri-tjetrin për paraqitjen.
Ky gjest publik lë të kuptohet se raporti mes tyre mund të jetë përmirësuar, të paktën në planin profesional dhe në daljet para publikut.
Tchouameni dhe Valverde kishin përfunduar sezonin e kaluar në qendër të vëmendjes për shkak të një incidenti të ndodhur jashtë fushës.
Sipas raportimeve, të dy futbollistët ishin përplasur në Valdebebas dhe tensionet mes tyre thuhet se kishin vazhduar për dy ditë.
Gjatë këtij incidenti, dyshohet se mesfushori uruguaian kishte pësuar edhe një dëmtim në kokë.
Real Madridi më pas hapi procedurë disiplinore ndaj të dy lojtarëve, ndërsa raportohet se secili prej tyre u gjobit nga klubi me 500 mijë euro.
Kjo masë u konsiderua si një nga gjobat më të mëdha të vendosura prej klubit madrilen gjatë viteve të fundit.
Megjithatë, disa muaj pas ngjarjes, tensionet duket se janë zbutur. Kupa e Botës raportohet se ndikoi në qetësimin e situatës, ndërsa Tchouameni dhe Valverde u rikthyen së bashku në formacionin titullar ndaj Elches, duke përbërë dyshen e mesfushës.
As francezi dhe as uruguaiani nuk u renditën mes futbollistëve më të dalluar të Real Madridit në këtë ndeshje, ku Arda Guler ishte një prej lojtarëve me ndikimin më të madh për ekipin.
