Nga Ermal Mulosmani
Duhet të kem qenë rreth 10 vjeç kur kam parë një ndeshje futbolli. Arsyeja pse shkova ta shihja ishin bisedat e pafundme që shokët e mi bënin sapo përfundonte ndeshja. Diskutonin me detaje, emra, raste të humbura, gola, pritje, driblime…
E unë isha si guak. Nuk e kisha parë fare!
Futbolli i luajtur më merrte të paktën 50% të kohës së lirë, ai ishte tërheqja më e madhe e fëmijërisë. Shumë shpejt kuptova që përveç aftësive fiziko-atletike, ky sport i mrekullueshëm lidhej fort edhe me inteligjencën, në shputën e këmbës ishin disa zona të lugëta në të cilat topi qetësohej, shtrohej, nuk kërcente, fjala vjen, si në gungën e mystë të këmbës (trinë)! Me të brendshmen e këmbës ti mund ta çoje topin me një saktësi 80-90% drejt vendit ku e ke nisur; driblimi nuk ishte vetëm shmangie dhe rendie drejt zonave të lira por kishte të bënte edhe me mashtrimin, bërjen sikur, presionin psikologjik të kundërshtarit. Eglendisja nga zbulimet e përditshme të topkëmbës, magjia e driblimit dhe pasimit, lëvizjet pa top, intuita për të nuhatur pozicionin e duhur për gol, të gjitha këto ma kishin bërë futbollin një lloj fetishi, zgjohesha e gdhihesha me të në mendje, në ëndërra shihja driblime, gola të shkëlqyer që mahnisnin shokët e mi dhe shikuesit e rastësishëm.
Ndër gjithë shokët që luaja, vetëm dy a tre shihnin te ky sport anën e magjishme, virtuozitetin. Shumica ishin piramida lëvizëse që synonin topin por kryesisht kapnin këmbën time. E çuditshme por e vërtetë, aso kohë gëzohesha më shumë të më copëtonin këmbën sesa të më preknin topin…
Për herë të parë kam parë futboll të nivelit të lartë në vitin 1980. Kam parë dy a tre ndeshje të Kampionatit Evropian të atij viti, ndërmjet të cilave finalen Gjermani- Belgjikë.
E vendosa, unë do bëhem me Gjermaninë.
Tifozllëku gjerman më zgjati deri në vitin 1986. Kishte diçka që nuk më pëlqente te gjermanët. Ata ishin si ushtri, kishin disiplinë taktike, ishin luftarakë deri në frymën e fundit. Por unë kërkoja diçka tjetër.
Në vitin 1986, ndërkohë që mezi prisja ndeshjet e gjermanëve, filloi të më tërhiqte magjia e një gjeniu, Diego Maradonës. Ai trup robust me flokë të gjata e karakter të fortë, ai xhongler i lindur, në këmbët e të cilit topi ndjehej aq rehat, ai driblues që guxonte të fillëronte mes 4-5 mbrojtësve në pritje për të gjetur shokun e lirë, kishte diçka që nuk e kisha parë kurrë më parë.
Aso kohe luanin futbollistë të mëdhenj, Sokrates, Ziko, Falkao në Brazil, Rumenige e Fëler në Gjermani, Tardeli, Antonioni e Rosi në Itali, luante Françeskoli i Uruguajit, Shifo i Belgjikës e shumë të tjerë… Por para Maradonës të gjithë zhdukeshin, më bëheshin zero! Diego përveç të tjerave ishte rebel, bënte deklarata të guximshme, godiste këdo që s’i vinte pas avazit. Ai ishte Antikrishti, kurvari, i droguari, i çmenduri, i talentuari, Perëndia e vegjëlisë! Ishte njëkohësisht edhe gjeniu më i madh që kishte prekur topin deri atëherë. Një kombinim fatal për idhull! Njerëzia çmendeshin për të, si për asnjë tjetër më parë. Askush nuk e kishte karizmën e tij, lidershipin, guximin. Lëre pastaj talentin. Ishte larg prej të gjithëve më i miri!!!
Në ¼ e finales, në ndeshjen me Anglinë, pas një kombinimi brilant në zonë del vetëm për vetëm me Piter Shiltonin. Topi i pasuar nga shoku i skuadrës ishte i pakapshëm për Diegon shtatshkurtër në një duel me portierin. Atëherë, me një hile diegoniane, zgjat dorën e bërë grusht dhe e godet topin. Menjëherë sapo topi i afrohet rrjetës, Diego nis festimet drejt flamurit të këndit. Pa asnjë hezitim, në kulm të gëzimit, në delir. Si një hileqar brilant e aktor i shkallës më të lartë, si një rrugaç hilanjos i Villa Fioritos që luan rrugicave të lagjes së varfër që i dha botës heroin më të madh të futbollit! Për mua ka qenë goli më i bukur që kam parë në jetë! Çfarë frymëzimi! Po mundte me dinakëri anglezët, në kulmin e konfliktit për ishujt Malvine. I tillë ishte Diego! Pas atij goli të mrekullueshëm me dorë shënoi edhe atë të famshmin me sllallom, ku futbollistët anglezë dukeshin si piramida. Por unë preferoj të parin më shumë.
Diego ishte dashni e madhe. Kur erdhi finalja Gjermani-Argjentinë unë kuptova që nuk e doja më Gjermaninë, doja gjeniun! Me Belgjikën ne ½ finale kishte përsëritur performancën dhe e çoi ekipin i vetëm në finale. Ai Kampionat u kthye përpara finales se Aztekas në një Maradoniadë. Kur Gjermania shënoi golin e dytë dhe barazoi rezultatin nga 2 me 0 në 2 me 2 më theri diçka. Nuk i doja këta “nazistë”, doja prekjen e gjenut. Mateus, lojtari më i mirë i gjermnaëve ishte sakrifikuar për Diegon, e kishte mbuluar në gjithë fushën për 84 minuta! Bash atëherë kur Gjermania po sulmonte për të tretin, një harresë fatale e Burruçagës dhe pasi i vdekjes vjen nga Diego!
Një Kampion si Diego Maradona i 86-ës nuk është parë kurrë, ai Kampionat ishte një Maradoniadë!
Pas asaj ndeshjeje bëja çmos të shihja gjithçka mund të shihja nga Diego. Mu bë njeriu më i afërt në botë. Volteri ka thënë diku: “Përmes vlerësimit, ne bëjmë tonën përsosmërinë e tjetër kujt”. Kjo e shpjegon lidhjen e fortë të adhuruesve me idhujt. Ata mendojnë se kanë merita në përzgjedhjen e tyre prandaj edhe e mbrojnë me çdo mënyrë të zgjedhurin.
Unë nuk isha normal kur kishte ndeshje Napoli. Mezi prisja kronikën e ndeshjes, të shihja pasin, driblimet, asistet, golat e Diegos. Pa përmendur këtu Kupat e dështuara të Kampioneve. Diego Maradona nuk linte askënd indiferent. Dikush e donte për gjeniun, dikush për kontraversin, për batutat, shpirtin rebel, virtuozitetin, skandalet, adhurimin e Che Guevarës apo Fidelit, armiqësinë me amerikanët apo anglezët. Ai njeri ishte gjeniu absolut i futbollit modern! Në Argjentinë e në Napoli ai është shenjt.
Kur Diego e la futbollin, në atë ditë të trishtë të vitit 1994, pas ndeshjes me Greqinë, kur një infermiere katile e mori përdore t’i bënte analizën e urinës, kisha një mpirje të tillë që se kam provuar më kurrë! Si mundet të testonin gjeniun?! Si mund tia merrnin botës idhullin?
Pasioni që kisha për futbollin mu venit. Nuk kisha më skuadra të preferuara, veç individë. Më pëlqente Zidane, Baxho, Gaskonji, Bekam, Rivaldo. Pak më vonë Ronaldinjo më mrekullonte. Por Diego ishte Perëndia, sapo i krahasoja me Diegon më zvogëloheshin…
Deri sa erdhi Messi!
Nuk e fsheh se qenia argjentinas më ndikoi pak në fillim. Doja të ishte një Maradonë i vogël. Por e vërteta është se ky ishte një përbindësh me një talent të pakrahasueshëm me asnjë në botë! Shpejtësia e driblimit, lidhja e topit për këmbe, magjia e pasit të fundit, dubelpasit, saktësia milimetrike e topit të gjatë, goditja vrastare për çdo portier nuk është parë kurrë ndonjëherë më parë deri më sot!
Shtatshkurtër, timid, me trup të imët e pa muskuj të zhvilluar, ky të merrte erzin! Driblimet e tij nuk e kishin elegancën e Ronaldinjos por dehnin çdo mbrojtje! Leon e tërhiqte vetëm porta e kundërshatrit dhe zgjidhte gjithmonë rrugën më të saktë drejt saj. Driblimet për të nuk ishin qëllim më vete, ai nuk ishte aty për të argëtuar por për të fituar! Spektakli vinte i dyti por ai ishte vetë spektakël
Sa e sa herë i ka marrë me radhë mbrojtësit kundërshtarë si birila stërvitjeje, sa e sa herë ka shtrirë kundërshtarin përtokë pa e prekur fare topin, vetëm duke lëvizur trupin… Gola nga larg, nga shumë larg, në cep, në trekëndësh me të majtën vrastare, këmbën më të frikshme që ka pasë ndonjëherë futbolli!
Videot e tij janë të pabesueshme, driblimet e tij janë magjike, gjuajtjet janë kalibrime matematike. Por asgjë nuk vlejnë këto para inteligjensës inmessionante. Asgjë!
Nuk ka pasë kurrë bota një futbollist inteligjent sa Messi. I aftë të grumbullojë gjithë kundërshatrët në të djathtë e të gjejë një shok skuadre të zbuluar në të majtë. Një arkitekt futbolli, një krijues, një artist! Ne ishim mësuar të shihnim vetëm driblues fenomenalë si Ronaldinjo ose shënues cinikë që stë falnin, ose pasues magjikë si Platini, Shifo, Zidane, ose shpërthyes që kombinonin shpejtësinë skëterrë me teknikën braziliane si Ronaldo Fenomeni. Por kurrë nuk kishim parë një futbollist inteligjent të përmasave të Leo Messit! Maradona përpara tij më ngjante si fëmijë! Leo Messi e bëri futbollin një sport aristokrat, i dha inteligjencë, gjeometri, fantazi.
Artisti që revolucionarizoi futbollin sot luan tangon e fundit. Do të vallëzojë me të dashurën e tij, Argjentinën. Një partnere kapriçioze historikisht, por e zbutur tashmë, e lëshuar në duart e mjeshtrit! Ai do të luajë sot Tangon e fundit sepse një Monument i gjallë si ai, që bëri të ëndërrojnë për 15 vjet miliarda adhurues në të gjithë globin, nuk mund të vallëzojë për herë të fundit në një skenë të zakonshme! Ai do kërcejë nesër në altarin e Olimpit të futbollit për të kurorëzuar lavdinë e merituar me Kupën e Botës! Ndeshja e tij e 1004 vlen sa 1003 të tjerat së bashku! Ato 1003 ndeshje e sollën deri këtu Zeusin e Futbollit ndërsa kjo, e fundit, është klimaksi i një karriere unikale futbolli! Si mund të humbë nesër ai?
Argjentina nesër duhet të fitojë. Jo për veten por për Messian. Historia do të jetë e paplotë pa gjeniun në piedestalin më të lartë. Do të ishte pakuptim të mos ndodhte.
Forca Leo, është raundi final, më i rëndësishmi i karrierës tënde! 5 miliardë njerëz presin nesër magjinë tënde me gojën hapur, ankthin mbërthyer e duke numëruar sekondat!
FIFA, e vërteta, loja e dobët, taktikat, meritat, nuk më interesojnë! Më intereson Kupa e Botës në duart e Leo Messit!
Huuu, një boshllëk mu krijua në stomak ndërkohë që e shkruaj! Kjo është fuqia e gjeniut.
Forca Leo, edhe 16 orë kanë mbetur! Diego dhe Tota (mamaja e Diegos) do të mbështesin nga parajsa!