Pas triumfit në Klasiken e Shqipërisë ndaj Tiranës, Vllaznia synon të marrë një tjetër rezultat pozitiv, këtë herë në transfertën përballë Vorës, në javën e 9-të. Para ndeshjes, trajneri hungarez i shkodranëve, Csaba Laszlo, foli për mediat lidhur me sfidën dhe situatën e ekipit.
Vora?
Të lidhura
None found
Për momentin nuk mund ta kundërshtoj këtë ide, sepse të dyja skuadrat jemi në të njëjtin pozicion në tabelë. Kjo është një përballje shumë e rëndësishme për të dy ekipet. Duhet të konsolidojmë vendin tonë dhe ndoshta të ngjitemi më lart, por nuk mendoj se duhet të flasim për renditjen, pasi e dimë që na duhet të grumbullojmë ende shumë pikë.
Kur mbërrita këtu, shumë njerëz më pyetën dhe më thanë se nuk ishim favoritë në tri ndeshjet e para. Edhe kësaj radhe nuk do të hyjmë si favoritë, por dua të tregojmë se jemi një skuadër konkurruese.
Mes marrjes së një pike dhe tri pikëve ka një dallim të madh. Nga natyra, dua të fitoj çdo ndeshje; megjithatë, ndonjëherë edhe një pikë mund të të duket rezultat fantastik. Por, duke parë gjendjen tonë tani, duhet të përqendrohem te marrja e tri pikëve.
Është e rëndësishme që ekipi ta marrë këtë mesazh dhe të kuptojë se kemi besim tek ai. Mund të konkurrojmë me këdo. Rezultatin përfundimtar nuk e kontrolloj, por gjatë lojës mund të ndikojmë në shumë gjëra. Këtë pres të shoh nga skuadra ime.
Pas ndeshjes me Egnatian, më thanë se kishim luajtur mirë dhe kishim krijuar raste. Por në fund nuk morëm asnjë pikë, i kishim xhepat bosh. Nga ana tjetër, nëse do të më thoshin se nuk kishim zhvilluar një ndeshje të mirë, por kishim fituar tri pikët, përgjigjja ime do të ishte: “Po”, do të isha i lumtur. Tani vëmendjen e kam te situata e tanishme.
Mesazhi për të gjithë është që të qëndrojmë me këmbë në tokë. Nëse dikush përpiqet të fluturojë, do ta ndal dhe do ta kthej në tokë.
Situata e Hadrojt?
Ai u stërvit dje. Nuk mund të tregoj gjithë historinë, por e kam ndjekur prej kohësh. E njoh përmes kontakteve që kam në Ukrainë dhe kam biseduar me shumë njerëz. Besoj se mund të jetë një futbollist shumë i rëndësishëm, veçanërisht për skuadrën tonë.
Atij do t’i duhen 2–3 javë. Jam i kënaqur që mund të kemi një lojtar që ka qenë pjesë e kombëtares, nuk është në moshë të madhe dhe vjen nga veriu. Ai e mori vendimin e tij, ashtu siç bëmë edhe ne, dhe shpresojmë ta shohim sa më shpejt në fushë. Eksperienca e tij do të na vlejë.
A u rrezikua me Kastratin?
Nuk e vura atë në rrezik. Duhet kuptuar se futbolli është më shumë se një lojë; është mënyrë jetese. Për këtë djalë, bëhet fjalë për herën e dytë që pëson të njëjtin dëmtim, i cili është ndër më të vështirët për një futbollist.
Ai pyet veten nëse mund të kthehet sërish. Doja t’i bëja të qartë se është pjesë e kësaj familjeje, se ka rëndësi për ne dhe se do të kujdesem për të. Po të mos ishte rezultati në anën tonë, nuk do ta aktivizoja. Por kjo ishte një mënyrë për t’u treguar të gjithëve se kujdesemi për të dhe nuk e braktisim.
Ky është një mesazh për skuadrën: nëse je me ne dhe ke një problem, do të të ndihmojmë. Jemi bashkë dhe funksionojmë si familje. Mund ta them me siguri të plotë se nesër nuk do ta rrezikoj, edhe për shkak të fushës me bar sintetik. I duhet ende kohë dhe duhet të ecë hap pas hapi, për t’u bërë sërish pjesë e plotë e përditshmërisë së ekipit.
Vizita në shtëpinë e Balajt?
Mendoj se të gjithë jemi njerëz dhe krijimi i familjes është gjëja më e rëndësishme. Është interesante të shohësh ndryshimin te Bekim Balaj: gjashtë muaj më parë ishte thjesht një djalë.
Tani gjithçka ka ndryshuar. Ai është bërë baba dhe ka një përgjegjësi krejt tjetër; e kupton sa rëndësi ka të kesh familjen tënde. Dje i thashë se i përket edhe një familjeje tjetër, e cila kujdeset për të.
Kështu funksionon cikli i jetës. Uroj që çdo lojtar të krijojë familje, sepse kështu e kupton më mirë sa i kujdesshëm duhet të jetë ndaj punës. Është me rëndësi që i gjithë ekipi ta dijë se nuk jemi këtu vetëm për futboll.






