Trajneri i Serbisë, Dragan Stojković, ka mbajtur sot një konferencë të tensionuar për shtyp para përballjes ndaj Shqipërisë, që do të luhet të shtunën më 7 qershor në “Arenën Kombëtare”, ora 20:45, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës.
Stojković fillimisht u përpoq të ulte tonet për ndeshjen duke theksuar se:
“Kjo është thjesht një ndeshje futbolli. Nuk ka vend për deklarata të çmendura nga njerëz të lajthitur që duan të krijojnë tension. Ne shkojmë për sport, jo për përplasje”
Por më pas, konferenca mori një kthesë të ashpër kur trajneri serb u pyet për zgjedhjet e diskutueshme në listën e lojtarëve të grumbulluar, çështje që ka shkaktuar shumë polemika në mediat serbe.
“Kam thirrur lojtarët që mendoj se e meritojnë. Nëse dikush ka vendosur të mos vijë, është zgjedhje e tyre. Nuk do t’i lutem askujt. Nëse gaboj, jam gati të jap dorëheqjen nesër”, – tha me tone të larta Stojković.
Ai veçoi rastin e portierit Svilar, duke sqaruar se ishte vetë lojtari që zgjodhi të fokusohej te Roma, dhe gjithashtu kritikoi lojtarët që, sipas tij, vetëshkatërrohen apo nuk tregojnë profesionalizëm të mjaftueshëm për të përfaqësuar kombëtaren.
“Radonjiç? Ai po e shkatërron veten. Po e shkatërron Zvezdën dhe përfaqësuesen. Dhe më kërkoni të them që e meriton të jetë këtu? Me çfarë?” – u shpreh me indinjatë.
“Ekipi nuk ndërtohet me emra apo nga presioni i jashtëm. Lojtarët thirren në bazë të meritës dhe formës aktuale. Nuk më intereson nëse zemërohen – kjo është puna ime, dhe përgjegjësia është e imja.”
Ai i dërgoi një mesazh të qartë opinionit publik dhe lojtarëve jashtë listës:
“Për aq kohë sa jam unë këtu, do të vendos unë kush luan. Është detyra e lojtarëve të më bindin se kam pasur të drejtë që i kam thirrur.”