Steven Gerrard mund t’i dhurojë titullin Liverpoolit: Duam ta fitojmë ndeshjen kundër Man City

Ndeshja mes Manchester City dhe Aston Villas pritet të jetë vendimtare sa i përket titullit të Premierligës.

Të gjitha ndeshjet e javës së fundit të sezonit 2021/22 do të zhvillohen të dielën në orën 17:00, kurse Manchester Cityt i duhet fitorja ndaj Aston Villas, për t’u shpallur kampion.

Por, trajner i Aston Villas është Steven Gerrard, i cili ishte kapiten i Liverpoolit për shumë vite.

Ai nuk arriti ta fitonte asnjëherë titullin e Premierligës si lojtar, por mund ta ndihmojë Liverpoolin të shpallet kampion nëse arrin ta ndal Manchester City.

“Si trajner i Aston Villas, nuk jam i lidhur me Manchester Cityn dhe Liverpoolin për titullin e Premier League, por ne duam të fitojmë kundër Manchester Cityt që ta mbyllim mirë sezonin”, u shpreh Gerrard.

Liverpooli do të përballet me Wolves, por që gjithçka do të varet nga ndeshja Manchester City-Aston Villa.


Shtuar 18.05.2022 18:56