Mënyra se si disa lojtarë të Kosovës qëndruan gjatë ekzekutimit të himnit kombëtar izraelit është bërë objekt kritikash nga mediumi izraelit “Sport5”. Ngjarja ndodhi përpara takimit të luajtur të shtunën në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Himni i Izraelit u shoqërua me fishkëllima të shumta nga tribunat, ndërsa vëmendjen e morën edhe disa futbollistë kosovarë që e mbajtën kokën ulur gjatë intonimit të tij.
Të lidhura
None found
Qëndrimi i lojtarëve solli një valë reagimesh e komentesh në rrjetet sociale dhe tërhoqi gjithashtu interesimin e mediave në Izrael.
Në reagimin e tij, “Sport5” i cilësoi fillimisht fishkëllimat e tifozëve si të turpshme, ndonëse, sipas mediumit, ato nuk përbënin befasi.
Sipas vlerësimit të medias izraelite, megjithatë, mungesa e respektit për himnin nuk u kufizua te tifozët e pranishëm në stadium, por u shfaq edhe te disa lojtarë të Kosovës.
Në shkrim pretendohej se disa futbollistë kosovarë nuk treguan respekt ndaj “Hatikvah-s”, duke përsëritur, sipas “Sport5”, qëndrimin e mbajtur edhe në përballjen e mëparshme ndërmjet dy përfaqësueseve në këtë kampanjë.
Mediumi renditi gjithashtu emrat e katër lojtarëve të Kosovës, për të cilët tha se kishin mbajtur kokën ulur ndërsa luhej himni izraelit.
Më parë, edhe futbollistët e Irlandës kishin ndërmarrë një gjest të ngjashëm si formë proteste ndaj Izraelit.







