Spanja realizoi një performancë dominuese në gjysmëfinale, duke mposhtur Francën me shifrat 2-0 dhe duke vulosur biletën për në finalen e Kupës së Botës 2026.
Të lidhura
None found
Skuadra iberike e menaxhoi takimin me autoritet, duke u shfaqur më kërkuese dhe më konkrete në çastet kyçe, teksa francezët nuk gjetën asnjëherë rrugën për të çarë murin mbrojtës të kundërshtarit.
Ekuilibri u prish në minutën e 22-të, kur Lucas Digne ndërhyri në mënyrë të parregullt ndaj Lamine Yamalit brenda zonës dhe arbitri tregoi pa hezitim pikën e bardhë.
Mikel Oyarzabal mori përsipër ekzekutimin dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke mposhtur portierin Mike Maignan dhe duke i dhënë epërsi formacionit të drejtuar nga Luis de la Fuente.
Franca provoi të reagonte, por u përplas me një Spanjë tejet kompakte. Të besuarit e Didier Deschamps ndërtuan disa raste, por u mungoi qartësia në finalizim.
Në fraksionin e dytë të lojës, spanjollët goditën sërish. Në minutën e 58-të, Dani Olmo shërbeu një asist të shkëlqyer për Pedro Porron brenda zonës, dhe mbrojtësi goditi me të parën për të dyfishuar avantazhin.
Francezët u hodhën në sulm me të gjitha forcat, me Kylian Mbappen dhe repartin ofensiv që kërkuan golin që do të rihapte sfidën, por mbrojtja spanjolle qëndroi e patundur deri në fund.
Me këtë sukses, Spanja avancon në aktin final të Kupës së Botës 2026, ndërsa Franca i jep lamtumirën ëndrrës pas një rrugëtimi të fortë në kompeticion dhe do të ndeshet për medaljen e bronztë.
“La Roja” tani i ka sytë nga sfida mes Argjentinës dhe Anglisë, teksa e ndan vetëm një hap nga lavdia më e madhe planetare.
