“Sot ishim të pafatë”, Armando Broja bën premtimin: Gjërat e mëdha do të vijnë në verë

Shqipëria e ka nisur me humbje vitin 2024. Kombëtarja jonë është mposhtur në miqësoren e parë të muajt mars, nga Kili. Sfida e zhvilluar në Parma të Italisë, përfundoi me fitoren 0-3 të amerikano-latinëve. Pas kësaj sfide ka folur Armando Broja.

“Sot ishim të pafatë. Nuk kemi luajtur mirë të themi të drejtën. Kili ishte shumë më i fortë dhe bënin presing mirë. Jemi të bashkuar si ekip. Kemi edhe dy muaj deri te Europiani dhe e dimë që këto nuk janë vetëm miqësore. Këto ekipe kanë shkuar në Botërore dhe janë ekipe të forta, po i luajmë për t’u bërë gati për Europianin. Tifozët sot më kanë dhënë diçka të bukur. Jam i lumtur që jam rikthyer, jam i kënaqur me tifozët dhe veten time.

Konkurrenca? Është gjë e mirë për Kombëtaren. Unë momentalisht jam jashtë forme, vij nga një dëmtim i rëndë. Më duhen më shumë minuta për t’u bërë gati. Por po bëhem mirë ngadalë. Po shkon mirë edhe stërvitja me trajnerin dhe çunat. Sot humbëm, por kemi diçka të madhe përpara. Gjërat e mëdha do të vijnë në verë. Që i vogël unë kam luajtur pa presion. Për mu është e rëndësishme për të luajtur mirë edhe për të kuptuar se çfarë dëshiron trajneri nga unë dhe sulmuesit e tjerë.

Si më priti skuadra? Më kanë pritur shumë mirë, unë i njoh të gjithë çunat. Janë disa të rinj që si kam takuar. Unë ka 1 vit e gjysmë që s’kam luajtur dhe me trajnerin e ri dhe stafin po mundohemi të kuptohemi si ekip. Gjërat e mëdha vijnë në verë.

Kur do të jem në 100% tim? Të them të drejtën nuk e di, por më duket se po rikuperohem mirë dhe po stërvitem më shumë. Më shumë ndeshje dhe minuta. Po stërvitem me ekipin, po kuptohem edhe me trajnerin. Unë po shkoj më përpara, di si të lë dëmtimin pas.”


Shtuar 22.03.2024 23:18