Solskjaer e pret një kalendar “ferri”

Manchester United ka grumbulluar vetëm një pikë në tri ndeshjet e fundit të Premier League. Gjithashtu, në Ligën e Kampionëve ka një ecuri të ndërlikuar.

Klubi i “Djajve të Kuq”, megjithatë ka rinovuar besimin e tij te trajneri Ole Gunnar Solskjaer. Në sfidën e fundit të Premier League, Manchester United u mund nga Leicester dhe tani është 5 pikë larg kreut, që mbahet nga Chelsea.

Pra, një ecuri dhe renditje shumë poshtë pritshmërive, veçanërisht pas ardhjes së Cristiano Ronaldos në verë. “Oreksi” u rrit gjithashtu pas blerjes së Jadon Sancho nga Borussia Dortmund për mbi 80 milionë euro, si dhe të mbrojtësit francez të Real Madridit, Raphael Varane, për 50 milionë euro.

Ndeshja e Ligës së Kampionëve kundër Atalantës “përuron” një pjesë veçanërisht të vështirë të kalendarit për “Djajtë e Kuq”, të cilët më pas duhet të sfidojnë Liverpool dhe Tottenham, para ndeshjes së kthimit në Bergamo. Më tej vijon derbi me Manchester City, si dhe supersfidat kundër Chelsea dhe Arsenal deri në fund të nëntorit. Vetëm atëherë, siç raportohet nga tabloidi “The Sun”, do të jetë e qartë e ardhmja e Solskjaer.


Shtuar 18.10.2021 14:39