Silvinjo bën prova formacioni për Serbinë, ja si ndau futbollistët në dy skuadra në seancën e të martës

Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, nuk ka humbur kohë dhe ka filluar menjëherë punën për të ndërtuar formacionin për ndeshjen ndaj Serbisë që luhet këtë fundjavë në Leskovac. Nëse dita e hënë kishte më shumë punë fizike, meqë lojtarët vinin direkt nga ndeshjet, disa e martë pa trajnerin të fokusohej menjëherë te puna për formacionin.

Që në ushtrimet e para, ai ndau lojtarët në dy ekipe. Në një grup ishin vendosur Mitaj, Cake, Hysaj, Shehu, Asllani, Laçi, Asani, Hoxha dhe Manaj. Ndërkohë, në grupin tjetër ishin Gjimshiti, Ajeti, Balliu, Aliji, Ramadani, Uzuni, Broja dhe Daku. Ndërkaq, Bajrami dhe Berisha ishin me jelekë të verdhë të dallueshëm nga të tjerët dhe shërbenin si “xhol” në rolin e organizatorit për të dy skuadrat.

Bie në sy se si që në ushtrimet e para Silvinjo nuk ka ndare ato reparte që i cilëson fikse, si dyshen Gjimshiti-Ajeti të qendrës së mbrojtjes në të njëjtin ekip, apo treshen e mesfushës Shehu-Asllani-Laçi të cilët zakonisht luajnë bashkë, duke i besuar më shumë manovrave të kolauduara brenda ekipit.

Më pas, Silvinjo organizoi edhe një ndeshje kontrolli brenda grupit, me ekipe përsëri të përziera, ku u përfshi edhe Zabaleta në rolin e qendërmbrojtësit te një prej skuadrave.


Shtuar 7.10.2025 22:04