Si arriti gjiganti turk ta bindë Jose Mourinhon: Zbulohen detajet financiare, ai fiton më shumë para se në Romë

Eksperti i njohur portugez Jose Mourinho është prezantuar ditët e fundit si trajneri i ri i Fenerbahçes , ku tani mediat turke kanë zbuluar detajet financiare të kësaj marrëveshje befasuese.

Pakkush mund ta merrte me mend se Ismail Kartal në stolin e Fenerbahçes do të pasohej nga një ekspert kaq i madh si Jose Mourinho. Megjithatë, turqit kishin një plan, zhvilluan një takim fillimisht me portugezin dhe në fund e shpërblyen me një kontratë shumë të madhe e cila ishte vendimtare në fund.

“Kam ardhur të punoj për futbollin turk, për Superligën turke, por në thelb vij për Fenerbahcen. Trajneri zakonisht bëhet i dashur pas fitoreve dhe në këtë rast ndjej se jam i dashur edhe para tyre. Ju premtoj, nga tani unë i përkas familjes suaj dhe kjo fanellë është lëkura ime e re”, kishte deklaruar Mourinho në prezantim.

Mediat turke zbuluan se paga për të dhe stafin e tij profesional do të jetë 12 milionë euro në vit. Prej tyre 10 milionë euro shkojnë për Mourinhon dhe dy të tjerat për anëtarët e stafit të tij stërvitor.

Presidenti i klubit, Ali Koç, ka treguar se edhe klube të tjera kanë zhvilluar takime me Mourinhon, por se Fenerbahçe ka qenë i pari.

“Me Mourinhon u takuan edhe klube të tjera përveç nesh, e kontaktoi edhe Besiktas. Por ne u takuam para tyre dhe bëmë një ofertë shumë më të përshtatshme dhe ai pranoi. Ai ishte i impresionuar nga qëllimet tona”.

“I kemi dhënë skuadrës së tij 12 milionë euro në vit, dhe ai nënshkroi për dy vite. Tani do të ketë mundësi të sjellë përforcime gjatë verës”, deklaroi Koc.

Ndryshe, është një pagë më e lartë se ajo që kishte në Romë, që ishte klubi i fundit në karrierën e tij, ndërsa është më e ulët se rekordi që kishte në Manchester United, rreth 15 milionë euro. /Telegrafi/


Shtuar 5.06.2024 18:09