Shtyhet takimi mes Juves dhe Dybalas, ka më shumë dyshime për të ardhmen e numrit 10

Sipas Sky Sport Italia, takimi mes drejtuesve të Juventusit dhe përfaqësuesve të Paulo Dybala, i cili duhej të zhvillohej nesër, është shtyrë.

Kontrata e argjentinasit skadon në fund të sezonit dhe dy palët pritej të takoheshin nesër në një takim vendimtar për zgjatjen e kontratës së lojtarit në Torino.

Megjithatë, sipas Sky Sport Italia, takimi është shtyrë dhe nuk do të mbahet nesër.

Ekipi i Dybala, përfshirë edhe agjentin e tij Jorge Antun, kanë mbërritur tashmë në Torino, por është ende e paqartë pse takimi nuk do të zhvillohet.

Bardhezinjtë thuhet se do t’i ofrojnë Dybala një pagë më të ulët se ajo e rënë dakord disa muaj më parë.

Dybala kishte pranuar të nënshkruante një marrëveshje prej 10 milionë euro në vit duke përfshirë bonuset, por kuptohet që kjo ofertë nuk është më në tavolinë.

Propozimi fillestar i Juventusit ishte 8 milionë euro fiks, plus 2 milionë euro shtesa, ndërsa oferta e re duhet të jetë paksa e ndryshme me 7 milionë euro (pak më pak se ajo aktuale), plus 3 milionë euro bonuse.

 


Shtuar 9.03.2022 16:58