Shqipërisë i duhen edhe 90′ për në Gjermani, mister formacioni

Sot është dita, sot duhet të jetë dita. Kombëtarja e Shqipërisë luan sot ndeshjen më të rëndësishme që nga viti 2016, kur morëm atë fitore historike në Armeni që na kualifikoi për herë të parë në finalet e një Europiani.

Sot i kemi të gjitha shanset që ta përsërisim atë sukses. Një fitore ndaj Republikës Çeke na kualifikon 99% në Euopianin 2024 që do zhvillohet në Gjermani.

Sylvinho kërkon ti japë vazhdimësi momentit në sprintin final të një misioni historik, edhe pse shqetësimet nuk mungojnë. Trajneri Sylvinho ende nuk e kristalizuar formacionin titullar që do zbresë sot në fushë.

Zëvendësuesi i Ismajlit, gjendja e Gjasulës mbeten për tu vlerësuar deri në momentin e fundit, por Shqipëria ka krijuar tanimë një identitet të qartë, një fytyrë që kërkon ta ruajë edhe përballë Çekisë, ku për të thënë të vërtetën edhe një barazim mund të konsiderohet një rezultat që vlen për llogaritë e kualifikimit.

Gjithsesi e sigurt është që kjo skuadër, me kaq cilësi, kualitet dhe bindje do të hyjë në fushë për të fituar.

“Air Albania” do të jetë një spektakël më vete, ata që do të jenë aty  janë më fatlumët e një numri të jashtëzakonshëm tifozësh që janë rrekur për të siguruar një biletë, një fat i madh që për ta shpërblyer sadopak, ju duhet ta shpërblejnë duke mbështetur si kurrë më parë kombëtaren pa rreshtur asnjë sekondë.

Atmosfera pozitive ndihet kudo në Shqipëri, në rrugë, sheshe dhe lokale. Stadiumi “Air Albania” nuk do jetë i vetmi ambient plot sot, por plot do jenë edhe sheshet, dhe lokalet.

Interesimi për të parë ndeshjen e Kombëtares, jo vetëm në stadium ka qenë jashtëzakonisht i lartë.

300 mijë kërkesa kanë qenë për të pasur një biletë, por fatkeqësisht asnjë stadium në botë nuk i ka kapacitet për një numër të tillë tifozësh.

Na mbetet vetëm të besojmë tek Kombëtarja, tek këta djem që na kanë bërë krenar kudo që luajnë dhe që sot e sigurtë që do japin shpirtin në fushë, për të marrë maksimumin nga ndeshja ndaj Çekisë. Forca Shqipëri, ne besojmë.


Shtuar 12.10.2023 12:14