Shqipëria dhe Kosova, kanë siguruar fitore të rëndësishme këtë javë në kualifikueset e Botërorit dhe tashmë e shohin veten në vendin e dytë në renditjen e grupeve përkatëse, vetëm një hap larg sigurimit të play-off për zonën Europiane të turneut.
Formula e veçantë e play-off përfshin 12 skuadrat e dyta në grupe, si dhe 4 skuadrat që nuk kanë qenë në dy vendet e para në grupet përkatëse, të cilat kanë hyrë nëpërmjet renditjes në Ligën e Kombeve.
Në situatën aktuale pas ndeshjeve të së hënës, si Shqipëria, ashtu edhe Kosova, e shohin veten në vazon e tretë.
Duhet theksuar se renditja për tre vazot e para, bëhet duke marrë për bazë klasifikimin e FIFA-s.
Ndërsa skuadrat e Ligës së Kombeve, edhe pse me renditje më të lartë në FIFA, shkojnë direkt në vazon e katërt.
Formula e play-off, është me gjysmëfinalet e një skuadre të vazo 2 si pritëse kundër një skuadre të vazos 3, ndërsa një skuadër e vazos 1 është pritëse ndaj nëj skuadre të vazos 4.
Në finalet, të cilat luhen po me ndeshje teke, fituesi i një çifti 1-4 luan kundër fituesit të një çifti 2-3, me vendin pritës që caktohet me short.
Në situatën aktuale, katër kundërshtarët e mundshëm për Shqipërinë dhe Kosovën janë Skocia, Hungaria, Çekia dhe Sllovakia.
VAZOT E PLAY-OFF
VAZO 1: Itali, Turqi, Ukrainë, Poloni
VAZO 2: Skoci, Hungari, Çeki, Sllovaki
VAZO 3: Shqipëri, Maqedoni, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë
VAZO 4: Uells, Rumani, Suedi, Irlandë e Veriut