Mesfushori i Napolit dhe Sllovakisë, Stanislav Lobotka, ka zbuluar dëshirën e tij për t’u larguar nga klubi për të kapur “një peshk më të madh” dhe në veçanti ai do të ishte i nderuar të bëhej pjesë e Barcelonës.
Lobotka gjatë viteve të fundit ishte lidhur me një transferim të mundshëm tek Barcelona. Hera e parë kur ai ra në syrin e blaugranasve ishte gjatë kohës sa luante tek Celta Vigo, aty ku tregoi aftësi të jashtëzakonshme në kontrollimin e tempos së lojës, para se të transferohej tek Napoli, aty ku gradualisht u bë njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm.
Që prej atëherë ai ishte diskutuar nga bordi i klubit për një transferim të mundshëm, por kur Xavi Hernandez e komplimentoi atë pas ndeshjes me Napolin, spekulimet u rritën edhe më shumë.
Në një intervistë për Gazzetta dello Sport, Lobotka u shpreh se ai ishte i hapur për t’u larguar nga Napoli.
“Do të doja të luaja për një ekip të nivelit të lartë, por tani jam tek Napoli, kam një kontratë dhe kam një familje italiane atje. Nëse do të kisha ofertë nga një klub i rëndësishëm, do ta pranoja atë, por nuk do ta kisha problem të qëndroja”, ka thënë Lobotka.
Më specifikisht për Barcelonën, Lobotka zbuloi se ai e kishte një pëlqim për blaugranasit që nga fëmijëria.
“I kam ndjekur ata që prej se isha fëmijë, me Decon dhe Ronaldinhon. Nëse një ofertë do të vinte, unë do të doja të shkoja atje”, u shpreh 29-vjeçari.
Teksa Lobotka pa dyshim ka shumë kualitet, ai mund të vuajë nga largimi i Xavit pasi dëshira e Hansi Flick është që të transferohet një lojtar që është fizikisht i fortë./Telegrafi/