Shkarkimi i Pirlos, Rabiot thur lëvdata për italianin: Mendoj se meritonte më shumë kohë

Mesfushori i Juventusit, Adrien Rabiot, ka folur për ish-trajnerin e Juventusit, Andrea Pirlo.

Pirlo u shkarkua më herët gjatë javës duke u zëvendësuar nga Massimiliano Allegri.

Strategu italian arriti të fitojë Superkupën e Italisë dhe Coppa Italia, por megjithatë u shkarkua nga kryesia e klubit.

Adrien Rabiot në një intervistë për “La Gazzeta dello Sport” ka folur për eksperiencën me Pirlon, duke e cilësuar italianin si trajner shembullor i cili ka ide të qarta për lojën.

“Me të kisha një raport të mirë, kam shfrytëzuar këshillat e tij për t’u përmirësuar në pozicionimin tim dhe lëvizjet me topin, gjithnjë me një apo dy prekje”, tha ai.

“Këto ishin principe që ai dëshironte të shihte në fushë, të marrim topin dhe menjëherë të orientosh lojën me shpejtësi. I kam vlerësuar shumë stërvitjet e tij, freskinë që e ka sjellur, me ide të qarta por që jo gjithmonë ia kemi dalë ti vëmë në praktikë”, shtoi ai.

“Pastaj më pëlqeu pasioni dhe vullneti i tij para dhe pas ndeshjeve. Është një person i apasionuar që jep zemrën dhe dëshiron të përmirësohen gjërat”, tha Rabiot.

“Ndoshta nuk i kemi kuptuar mirë idetë e tij, si p.sh të mbroheshim me formacionin 4-4-2 dhe të ndryshosh kur sulmosh”, shtoi francezi.

“Megjithatë i kam dërguar një mesazh duke i thënë që meritonte më shumë kohë për të demonstruar idetë e tij, fatkeqësisht në futbollin e sotëm, kohë nuk ka. Më vjen keq sepse e vlerësoj si person dhe trajner i cili na mundësoi të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve dhe të fitojmë dy trofe”, përfundoi Adrien Rabiot.


Shtuar 30.05.2021 11:53