Gigio Donnarumma la Milanin si lojtar i lirë dhe firmosi një kontratë 5-vjeçare me PSG. 22-vjeçari, i cili fitoi Euro 2020 me Italinë, turne ku u shpall futbollisti më i mirë, ka hapur zemrën për Corriere dello Sport.
Vendimi për t’u larguar nga Milani, shkaqet e ndarjes me ekipin e zemrës, transferimi në Francë te PSG, objektivi Champions League dhe në fund Leo Messi: portieri italian i prek të gjitha në prononcimin e tij.
“Milani ishte shtëpia ime, kalova tetë vite aty, kam përjetuar momente të mrekullueshme. Milani akoma më emocionon edhe sot. Kam respekt të madh për klubin dhe tifozët.
Sapo mora vesh që drejtori (Gazidis) është i sëmurë, i dërgova menjëherë një mesazh duke i uruar të rikthehet sa më shpejt në Milanello, në vendin e tij të punës.
Jeta përbëhet nga zgjedhje, unë dhe Milani kishim ambicie të ndryshme, por do të mbetem gjithmonë një tifoz i Milanit“, deklaron Gigio, i cili nis e shpjegon vendimin për t’u larguar nga kuqezinjtë.
“Tetë vite nuk harrohen, por më duhej të ndryshoja që të rritesha, të përmirësohesha dhe të bëhesha më i forti. Ndjeva nevojën për hapësira të reja dhe realitete të reja. Ka vendime që kanë një kohë më të gjatë të pjekurisë.
Zgjedhjet profesionale i kam marrë gjithmonë vetë, familja më ka lënë gjithmonë të lirë dhe më ka mbështetur. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Mino (Raiola, agjenti).
Ai respekton në maksimum dëshirat e lojtarëve të tij, teksa natyrisht që bën gjithçka për të plotësuar kërkesat e tyre. U largova nga Milani, por ju betohem që nuk kisha kontakte me klube të tjera.
Ama, unë isha i sigurt që dikush do të shfaqej nëse do të zhvilloja një Europian të mirë“. Në fund kalimi te PSG dhe Leo Messi, të cilin do e ketë shok skuadre. “Kur firmosa me PSG, presidenti më tha: më në fund jemi së bashku…
Tani ndihem mirë, jam i çliruar, objektivi ynë i vërtetë është fitimi i Champions League. PSG më ka kërkuar edhe në të kaluarën, por atëherë ishte Milani prioriteti im. Sot ndihem më i sigurt, edhe falë Milanit, jam përmirësuar edhe teknikisht.
Ragno dhe Dida kanë insistuar dhe këmbëngulur shumë që të përmirësohesha në lojën me top. Messi? I pabesueshëm, ai është një goditje skenike.
Kur mora vesh largimin e tij nga Barcelona, as që e imagjinoja që do e gjeja këtu, PSG është një skuadër plot fenomenë“, deklaroi Donnarumma.