Shehi mendon për debutimin me “demat”: Vëmendja te Superiorja, edhe Teuta mund të bëjë dëme

Partizani zhvilloi dje testin e dytë dhe të fundit në Turqi, ku arriti të mposhtë me shifrat 1-3 Universitate Klyzh, e cila renditet e teta në kampionatin vendës dhe kërkon të kualifikohet në kompeticionet europiane.

Pas ndeshjes, trajneri Orges Shehi, që shijoi fitoren e parë në krye të kampionëve, u shpreh i kënaqur me lojën e zhvilluar dhe rezultatin e vë në plan të dytë. Trajneri tashmë e zhvendos vëmendjen te kampionati, saktësisht te beteja me Teutën, e planifikuar të shtunën në orën 17:00 në stadiumin “Arena e Demave”.

FITORJA NDAJ RUMUNËVE

“Ishte ndeshja e fundit e këtyre ditëve në Turqi. Është e rëndësishme që lojtarët të përformojnë mirë, të kenë intensitet, por edhe të mos ketë dëmtime. Pastaj rezultati është në plan të dytë. Kërkojmë që gjithnjë të jemi në ekuilibër, sepse është shumë e rëndësishme. Pjesa e parë dhe e dytë kishin ndryshim për shkak të konfigurimit. Jemi të kënaqur. Tani na mbetet të mbledhim gjithë energjitë tona dhe të nisim kampionatin në mënyrën e duhur”.

RINISJA E SUPERIORES

“Kategoria Superiore ka specifikën se të gjitha ndeshjet janë të vështira dhe në këtë logjikë do të vazhdojmë. Duhet ta ngulisim në kokë se të gjitha skuadrat mund të na bëjnë dëme. Nisim kampionatin me Teutën, një skuadër që nuk është në pozicion të mirë, por që kërkon të ngjitet në tabelë. Faza ka shkuar shumë mirë, kemi zhvilluar shumë seanca ‘dopio’, por tashmë faza u mbyll këtu dhe i gjithë përqendrimi kalon te kampionati”, u shpreh Shehi. /panoramasport/


Shtuar 11.01.2024 13:43