Për t’u kualifikuar në finalen e Kupës së Botës 2026, Spanja nuk përballet thjesht me një kundërshtar, por me një test të vërtetë force përballë Francës, e cila është shfaqur si skuadra më bindëse e këtij edicioni.
None found
Përfaqësuesja e Didier Deschamps, ende e pamposhtur, zotëron repartin ofensiv më vrastar të turneut dhe një plejadë talentesh në çdo pozicion, duke u konsideruar si muri më i lartë për “La Rojën”.
Bazuar në një analizë të gazetës Marca, rruga drejt suksesit për spanjollët ndahet në dhjetë faza, të ngjashme me pjesët më të pjerrëta të Tour de France.
E para prej tyre ka të bëjë me agresivitetin anësor. Shfrytëzimi i krahëve të mbrojtjes franceze është jetik. Lucas Digne është treguar i cenueshëm në duelet individuale përgjatë turneut, ndërsa në krahun e kundërt, Jules Koundé do të ketë misionin delikat të frenojë Lamine Yamalin. Vedetisti francez ka pranuar se rreziku spanjoll është i shpërndarë: “Nuk jemi të fokusuar vetëm te Lamine Yamali. Spanja ka një bollëk lojtarësh që mund të na krijojnë telashe.” Nëse dyshja Yamal dhe Nico Williams ia dalin t’i shtyjnë mbrojtësit kundërshtarë thellë në zonën e vet, Spanja mund të ndërtojë një avantazh të rëndësishëm.
Më pas vjen nevoja për komandim të topit. Megjithëse Franca nuk shqetësohet nga mungesa e posedimit, ajo nuk është në elementin e vet kur e ndjek topin për hark kohor të zgjatur. Katërshja Pedri, Rodri, Dani Olmo dhe Fabián Ruiz do të ngarkohet me menaxhimin e ritmit, duke e vendosur lojën në territorin francez. Spanja prin statistikat e Botërorit për mbajtjen e topit me rreth 60%, dhe njëkohësisht bën pjesë ndër ekipet që e rifitojnë më shpejt sferën pas një humbjeje.
Ruajtja e stabilitetit në fushë është faza e tretë. Një pasaktësi ndaj Francës mund të ndëshkohet në kohë rekord. Emra si Mbappé, Dembélé, Olise dhe Doué janë specialistë të kundërsulmeve vdekjeprurëse, duke kaluar nga faza e mbrojtjes në atë të sulmit me vetëm disa shkëmbime pasimesh. Për këtë arsye, trajneri Luis de la Fuente ka ngulmuar që ekipi të operojë gjithmonë me baraspeshë, sepse një top i humbur mund të rezultojë tragjik.
Një tjetër hallkë është depërtimi në kështjellën mbrojtëse franceze. Para se të mendojë për rrjetën, Spanja duhet të gjejë zgjidhjen për dyshen e fortifikuar William Saliba dhe Dayot Upamecano, të cilët shquhen për fizik, shpejtësi dhe sundim në duelet ajrore. Përtej kësaj, Franca aplikon një kundërpresing feroci pasi humbet topin. Ibrahima Konaté ka theksuar: “Ndoshta presioni ynë pas humbjes së posedimit nuk merr vëmendjen e duhur, sepse të gjithë sytë janë te stili ynë ofensiv.”
Rrezikshmëria e Michael Olise përbën etapën e pestë. Nëse Mbappé është ekzekutori, Olise është truri i manovrës sulmuese franceze. Mesfushori sulmues i Bayern Munich renditet si asistuesi më i mirë i kompeticionit dhe është lojtari që prodhon më shumë raste për formacionin e Deschamps. Ai lëviz lirshëm midis reparteve, depërton në qendër dhe shpërndan topa që copëtojnë mbrojtjet. Legjenda Thierry Henry i ka ngjashëruar filtrimet e tij me ato të ikonës së NFL, Tom Brady.
Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet edhe Ousmane Dembélé, “Topit të Artë” pa bujë. Edhe pse Mbappé tërheq qendrën e vëmendjes, Dembélé po zhvillon një Botëror sensacional me pesë gola, disa asiste dhe një influencë konstante në manovrën ofensive. Nga ekipi francez ai përshkruhet si një “udhëheqës i heshtur”, por prania e tij në fushë ka një peshë të jashtëzakonshme.
Për më tepër, spanjollët kanë përballë sulmin më produktiv. Askush nuk ka tronditur rrjetën më shumë se Franca në këtë Botëror. Skuadra e Deschamps ka grumbulluar 16 gola me një mesatare mbi 2.5 realizime për takim. Me më tepër se 100 goditje drejt portës dhe një përqindje konvertimi pranë 15%, francezët kanë dëshmuar se nuk u duhen shumë mundësi për të dënuar rivalët.
Karakteristikë thelbësore e Francës është aftësia për të fituar edhe kur duket se nuk dominon. Një vjedhje topi, një vrap i shkrepur i Mbappés, një asist i Olises apo një magji e Dembélés janë të mjaftueshme për të përmbysur gjithçka në pak sekonda. Deschamps ka pohuar: “Nuk na duhet gjithmonë topi për të patur nën kontroll ndeshjen.” Për këtë arsye, përqendrimi i Spanjës duhet të jetë në maksimum që nga fillimi deri në vërshëllimën përmbyllëse.
Shpejtësia tranzitore është një tjetër armë shkatërrimtare. Franca mbetet ekipi më i rrezikshëm në tranzicion. Mbappé ka regjistruar rekordin e shpejtësisë në këtë Botëror me 37.6 kilometra në orë, dhe përkrah tij, Dembélé, Doué, Olise e Koné e kthejnë në makth çdo dalje në kundërsulm. Në rast se Spanja mban mbrojtjen lart, Laporte dhe Cubarsí do të detyrohen të jenë të pagabueshëm në administrimin e hapësirave prapa.
Së fundmi, barriera më madhore mban emrin Kylian Mbappé. E gjithë analiza e vështirësive kulmon te sfida supreme. Mbappé vjen në gjysmëfinale si një nga golashënuesit kryesorë të turneut, në një nivel me Lionel Messin, dhe si udhëheqësi absolut i Francës. Atij nuk i duhen shumë kontakte me topin për të vulosur fatin e një takimi. Mjaftojnë një shpërthim, një inkursion apo një goditje e vetme. Vetë kampioni ka deklaruar: “Më duhet të jem shembull për ekipin, veçanërisht në aspektin emocional, pasi unë jam lojtari me më shumë përvojë në Kupat e Botës.” Spanja mund të zotërojë sferën, të triumfojë në mesfushë dhe të minimizojë pasaktësitë, por për të shkelur në finalen e Botërorit, do të duhet të thyejë pengesën më të lartë të këtij turneu – Kylian Mbappén.
Legjenda e Anglisë, John Terry, ka bërë një krahasim të madh për Jude Bellinghamin, duke thënë se mesfushori i Real…
Mesfushori i Francës, Adrien Rabiot, ka dërguar një mesazh të fortë përpara gjysmëfinales së Kupës së Botës 2026 ndaj Spanjës,…
Revolucioni më i madh i Kupës së Botës 2026 nuk ka të bëjë me formatin e ri të garës apo…
Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, ka deklaruar se Rama nuk e ka fare ndërmend dorëheqjen dhe se po integron…
Avokati Taulant Hodaj ka befasuar me një deklaratë të tij. Ai ka paralajmëruar padi ndaj të gjithë deputetëve të cilët…
Dashi Do i jepni me shume prioritet jetës suaj sentimentale gjate kësaj dite duke lënë pas dore miqtë dhe familjaret.…