Rritja e Jorginhos nga plazhet e Brazilit në kandidat për “Topin e Artë”

Pas një vere të kaluar duke fituar trofe, ndoshta ishte e përshtatshme që Jorginho të kthehej në fushën stërvitore të Chelseat kohët e fundit me flokë ngjyrë argjendi.

“E tmerrshme”, tha shoku i skuadrës Hakim Ziyech, por kjo nxori në pah besimin pothuajse të paprekshëm të mesfushorit pas një periudhe ku ai u bë mbreti i Evropës. Muajin e kaluar, futbollisti italian u bë vetëm lojtari i 11-të që fitoi Ligën e Kampionëve dhe Kampionatin Evropian në të njëjtin sezon, duke shtuar një udhëtim të mrekullueshëm që e ka çuar atë nga plazhet e Brazilit në një fitore të famshme në stadiumin “Wembley”.

Ai që atëherë ka përfunduar një “hat-trick” të trofeve evropianë brenda 74 ditëve, pasi javën e shkuar e fitoi edhe Superkupën e Evropës pas fitores së Chelseat ndaj Villarrealit në Belfast. Fitimi i trofeve është bërë “varësi” dhe 29-vjeçari thotë se është “i uritur” për më shumë trofe.

Një lojtar që u largua nga shtëpia si adoleshent për të vazhduar karrierën e tij dhe thotë se u detyrua të jetonte me 20 euro në javë si një lojtar i ri në Itali, Jorginho tani po favorizohet nga ish-trajneri i Napolit dhe Chelseat, Maurizio Sarri për të fituar “Topin e Artë”.

Shoku i tij i ekipit te Chelsea, Kai Havertz tha: “Mendoj se ka edhe lojtarë shumë të mirë përkrah tij për ta fituar këtë çmim, por kur fiton Ligën e Kampionëve dhe Evropianin në një vit, atëherë Jorginho e meriton me siguri ‘Topin e Artë’. Është kënaqësi për mua që luaj me të”.

Si e bindi Lampardin në një turne parasezonal

Dukej si një fillim i ri i përsosur kur Jorginho dhe Sarri u transferuan nga Napoli te Chelsea në të njëjtën ditë tre vjet më parë, ku mesfushori kushtoi 57 milionë funte. Tifozët ishin të dashuruar me të pasi ai vizitoi dyqanin e klubit Chelsea me nënën e tij, Maria Tereza Freitas, e cila e stërviste atë si fëmijë dhe më pas shpërtheu në lot kur ajo vuri re emrin e Jorginhos në një fanellë. Por kapitulli i tij në Chelsea shpejt u bë i keq për shkak të shoqërimit të tij me Sarrin. I etiketuar si “djali i Sarrit”, ai u tall me tifozët të cilët ishin të frustruar me lojën e trajnerit italian – një qasje që ishte e rëndë në pasime, por nuk kishte depërtim pasi klubi dështoi në Premier League duke përfunduar i treti. Pavarësisht fitimit të Ligës së Evropës, Sarri u largua pas një sezoni për t’u kthyer në Itali dhe mori përsipër drejtimin e Juventusit. Jorginho mbeti dhe do të duhej të bindte trajnerin e ri, Frank Lampard për vlerën e tij. Është e sigurt të thuhet se golashënuesi më i mirë i Chelseat, Lampard dhe ekipi i tij stërvitor kishin rezerva ndaj mesfushorit të lindur në Brazil. Megjithatë, ai e kaloi atë test në një udhëtim parasezonal në Dublin në verën e vitit 2019. Burimet e klubit thonë se Lampard ishte i befasuar kur mësoi se Jorginho ishte një “shofer” i ekipit, jo vetëm për sa i përket asaj që mund të bënte në fushë, por gjithashtu për shoqërinë e tij me shokët e skuadrës. Ai do të ishte i shpejtë për të ngushëlluar lojtarët që kishin një lojë të keqe, por ishte gjithashtu mjaft i sinqertë për t’u thënë atyre se donte më shumë angazhim në lojë. Nga ai turne e tutje, Lampardi vendosi të ndërtonte ekipin rreth tij, dhe Jorginho është rritur vetëm edhe më shumë qëkur Thomas Tuchel erdhi si trajner i ri në mes të sezonit të kaluar.

Këshilla e së ëmës për të qëndruar i fortë në Itali

Kur u vërshëllye te Chelsea, Jorginho tha se “nuk kishte asnjë dyshim” për veten e tij dhe se do të punonte më shumë për të bindur skeptikët. Kjo është një qasje që i ka shërbyer mirë që në ditët e tij të hershme, kur ai u rrit nga nëna e tij në shtetin jugor brazilian të Santa Catarinas. Pasi tregoi talentin si një 13-vjeçar, ai u transferua në një shkollë futbolli 200 kilometra larg dhe më pas, si një 15-vjeçar, u transferua në Itali te skuadra e Veronas. Ishte një lëvizje e ëndrrave, por Jorginho tha se ishte “e vështirë” pasi duhej të jetonte me 20 euro në javë, ku vetëm stërvitej dhe shkonte në shkollë.

Pastaj ai takoi një shok brazilian, portierin Rafael, i cili sugjeroi që agjenti i tij mund të mos ishte korrekt me Jorginhon.

“Ai bëri disa hetime dhe doli që agjenti im kishte marrë para dhe unë nuk dija asgjë për këtë”, ka kujtuar Jorginho. “Në atë moment doja të hiqja dorë nga futbolli. Telefonova në shtëpi me lot dhe i thashë mamasë se doja të kthehesha në shtëpi dhe nuk doja të luaja më futboll. Ajo tha që as të mos e mendoja një gjë të tillë, por duhet të qëndroja në Itali dhe të bëhesha i fortë, sepse isha afër realizimit të ëndrrës”.

Ishte kjo këshillë e mençur nga një nënë, e cila ishte një lojtare e mirë futbolli. Në fakt, Jorginho hapat e parë në futboll i kishte marrë pikërisht nga ajo. Këshilla e nënës e stabilizoi Jorginhon që e fitoi rastin te Verona për të debutuar në Serie B. Prej asaj kohe, Jorginho është rritur shumë duke u shndërruar në njërin prej mesfushorëve më të mirë në botë.

Zgjodhi Italinë para Brazilit

Mund të ketë qenë një udhëtim tjetër futbolli për Jorginhon, i cili tani ka një fëmijë me yllin e “The Voice”, Catherine Harding. Manchester City ishte i etur për ta transferuar atë nga Napoli para se të bashkohej me Chelsean në vitin 2018, drejtoresha e skuadrës londineze Marina Granovskaia e quajti atë “një nga mesfushorët më të lakmuar në Evropë”. Kjo ishte kryesisht për shkak të paraqitjeve të tij në Serie A, ku pothuajse e ndihmoi Napolin ta fitonte titullin e parë në ligë pas 25 vjetësh. Ndeshjet e mira te Napoli e lanë Jorginhon me një zgjedhje të ndërlikuar midis Brazilit të tij të lindjes dhe Italisë së adoptuar. Jorginho u zgjodh për herë të parë nga Italia në vitin 2016 pas një sezoni kur, së bashku me shokun brazilian Allanin, ai ndihmoi Napolin të përfundonte i dyti në Serie A para se të dilte i treti dhe më pas i dyti përsëri në tri edicione rresht. Dyshja formoi një lidhje në mesfushë dhe u bënë miq, gjë që u tregua e dobishme kur ata po mendonin për të ardhmen e tyre ndërkombëtare. Jorginho më parë ka sugjeruar se Brazili tregoi interes vetëm pasi Italia e zgjodhi atë në një miqësore ndërkombëtare dhe, pas një vendimi “të vështirë”, mbeti me një komb të cilin ai e përfaqësonte përmes stërgjyshit të tij.

“Me siguri do të doja të luaja për Brazilin dhe ne folëm për këtë. Madje kishte një shans që ai të më merrte të luaja për Italinë me të, por unë përfundova duke zgjedhur Brazilin, dhe ai zgjodhi Italinë”, ka zbuluar mesfushori i Evertonit, Allan. “Këto janë vendime shumë personale, dhe ai e di se çfarë përjetoi në Itali dhe bëri zgjedhjen e duhur. Unë jam shumë i lumtur për të dhe zgjedhjen që bëri dhe tani jam edhe më i lumtur për arritjet e tij të fundit. Ai më të vërtetë i ka merituar të gjitha. Ai gjithmonë ka punuar dhe luftuar aq shumë, gjithmonë ka dhënë gjithçka në stërvitje, kështu që suksesi i tij nuk është aspak surprizë. Ai ishte një nga miqtë e mi më të ngushtë në Napoli dhe është një mik i mirë deri më sot. Ai është një djalë fantastik dhe shpresoj se do të jetë një miqësi që do të kem për pjesën tjetër të jetës sime”.

Edhe Allan sikurse Havertz e Sarri beson se Jorginho e meriton “Topin e Artë”.


Shtuar 17.08.2021 19:15