Ajo që filloi si një seancë e thjeshtë fotografike për një kalendar solidariteti të iniciuar nga Sport, Barcelona dhe UNICEF, është kthyer tashmë në një nga fotografitë më të paharrueshme të futbollit bashkëkohor.
Joan Monfort, fotografi katalanas që kapi momentin ku Lionel Messi mban në duar dhe lan të voglin Lamine Yamal, ka ndarë me Flashscore prapaskenat e asaj dite, teksa imazhi i zakonshëm mori një peshë simbolike të jashtëzakonshme, pikërisht tani që të dy aktorët e saj do të takohen në finalen e Botërorit 2026.
Të lidhura
None found
“E konsideroja si një kalendar çfarëdo. Ideja ishte të zbaviteshim dhe t’u jepnim fëmijëve mundësinë të argëtoheshin përkrah kampionëve,” kujton Monfort, i cili shton se së fundmi ka marrë më shumë se 200 kërkesa për intervista.
Në atë periudhë, ishte viti 2007, Messi numëronte vetëm 20 vite dhe sapo kishte filluar të linte gjurmë te skuadra katalanase.
“Të gjithë e cilësonin si një djalë me talent të rrallë, por ka një dallim kolosal mes të qenit një premtim i madh dhe arritjes së asaj që Messi realizoi më pas. Ai sot është në një tjetër dimension. Nëse Lamine Yamal arrin të na japë qoftë edhe gjysmën e emocioneve që na dhuroi Messi, do të jetë një sukses i jashtëzakonshëm.”
Monfort rikthen në mendje edhe reagimin e argjentinasit kur u vu përballë bebes tre muajshe.
“E kam ende të freskët fytyrën e tij. Ishte shprehia e dikujt që dukej se thoshte me vete: ‘O Zot, s’kam asnjë ide se si mbahet një foshnjë’.”
Megjithatë, ai çast spontan prodhoi një fotografi të cilës, pas 19 vitesh, i është dhënë një kuptim krejt tjetër.
“Të mendosh që ata u takuan kur njëri ishte ende në pelena dhe tjetri një 20-vjeçar në fillimet e karrierës, dhe sot do të ndeshen sërish në arenën më të madhe që mund të imagjinojë një futbollist, është e pabesueshme.”
Sipas Monfort, gjithë kjo histori është e vështirë të arsyetohet.
“Janë kaq shumë koincidenca të çuditshme, sa e ke të pamundur të gjesh një shpjegim racional. Ndoshta dikur është shkruar diçka e tillë. Nuk e dimë nga kush apo ku, por të shpjegosh sesi këta të dy përfunduan në të njëjtën kornizë, me njërin foshnjë dhe tjetrin thjesht një talent në rritje, është gati e pamundur. Quajeni mrekulli, rastësi hyjnore apo si të doni.”
Imazhi u përhap në mbarë globin pasi babai i Lamine Yamal e shpërndau atë në platformat sociale rreth dy vjet më parë.
“Ka shkrepje që mbeten në histori, si ajo e Muhammad Alit që triumfon mbi kundërshtarin e rrëzuar, por atëbotë nuk kishte rrjete sociale. Këtë foto e ka parë thuajse i gjithë planeti. Kush nuk e kapi gjatë Euro 2024, po e shikon me siguri tani.”
Pas rikthimit triumfues të fotografisë në qendër të vëmendjes, Monfort pati rastin të fliste personalisht edhe me Lamine Yamal.
“Kur bisedova me Lamines, e ndjeva se atë e mbush vërtet me gëzim kjo pamje. Fundja, nuk është se gjithkush mund të mburret me një foto ku e lan Lionel Messi kur ishte bebe.”
Një imazh që nuk përsëritet dot, sot duket sikur i përket fatit, me dy personazhet kryesore që do të vihen përballë në finalen e Kupës së Botës, në një histori që pothuajse askush s’e parashikonte dot në vitin e largët 2007.
