Ronaldo Nazario e ka të qartë se çfarë e pret Mbappen nëse i bashkohet Real Madridit

Transferimi i Kylian Mbappes tek Real Madridi tashmë është vetëm çështje kohe. Sulmuesi francez tashmë është raportuar se ka informuar presidentin e PSG-së, Nasser Al Khelaifi, për vendimin e tij që të largohet në fund të sezonit.

Askush tashmë nuk ka dyshime se në horizont ai e ka fanellën e bardhë të Real Madridit. Të gjithë tashmë e kanë të qartë se ajo që ishte destinuar të ndodhte më herët më në fund do të ndodhë.

E njëri ndër ta është edhe Ronaldo Nazario, me të cilin Mbappe është krahasuar shumë herë, dhe kësaj radhe ai ka parashikuar të ardhmen e francezit.

“Të gjithë janë entuziastë për të parë Mbappen tek Real Madridi. Ky klub është një zgjedhje e mirë për të. Kylian Mbappe do ta fitojë Topin e Artë nëse nënshkruan për Real Madridin”, ka thënë ish-futbollisti legjendar.

Ronaldo tashmë e di vet se çfarë do të thotë të luash për Real Madridin, pasi gjatë kohës sa ai ishte futbollist aktiv kishte veshur fanellën e bardhë dhe kishte kaluar disa sezone të shkëlqyera dhe për këtë dëshmojnë statistikat.

Të njëjtën rrugë mund ta ndjekë edhe Kylian Mbappe, një futbollist që ka para vetes mundësinë për të pasur sukses në nivel personal si dhe të shtojë numrin e trofeve në sirtar.

Me që ra fjala, Mbappe po regjistron statistika të ‘frikshme’ edhe këtë sezon ku në kampionatin francez deri në këtë fazë ka shënuar 21 gola dhe ka bërë katër asistime, ndërsa në Ligën e Kampionëve ka gjetur rrjetën plotë gjashtë herë. /Telegrafi/


Shtuar 11.03.2024 21:43