Ronaldo i thotë “JO” Man United, e ardhmja mbetet e paqartë

E ardhmja e Cristiano Ronaldos është shndërruar në një rebus, pasi sulmuesi portugez duket se dëshiron të largohet nga Torino, por momentalisht asnjë nga skuadrat që kanë shfaqur interes për të, nuk duket e bindur të ofrojë shifra bindëse për shërbimet e tij.

Klube si Real Madrid, Paris Saint Germain dhe Manchester United janë në listën e pretendentëve për portugezin, por sipas mediave spanjolle, “djajtë e kuq” janë tërhequr, pasi nuk kanë arritur marrëveshjen ekonomike me CR7-ën.

Klubi anglez ka qenë i gatshëm të ofrojë një pagë prej 17 milionë eurosh në sezon për të rikthyer Ronaldon në “Old Trafford”, megjithatë kjo shifër është thuajse sa gjysma e pagës aktuale që portugezi merr te Juve, ndaj edhe ka refuzuar.

Sa i përket Realit të Madridit dhe PSG-së, të dy klubet kanë prioritet emra të tjerë futbollistësh dhe Ronaldo është vetëm një plan B, ndaj gjasat më të mëdha janë që ylli portugez të qëndrojë edhe një vit te Juventusi, për t’u larguar më pas verën e ardhshme me parametra zero.

Pikërisht situata aspak e qartë për të ardhmen ka bërë që Ronaldo të shfaqet i nervozuar edhe në fushën e lojës javët e fundit, teksa pas ndeshjes me Genoan flaku fanellën, ndërsa ndaj Atalantës është lënë jashtë grupit nga trajneri Pirlo, zyrtarisht për probleme fizike, por nuk përjashtohet as një farë ndëshkimi në heshtje për gjestin e një jave më parë.

Shtuar 18.04.2021 01:04