Ronaldo apo Messi? Usain Bolt nuk ka dilema për zgjedhjen e tij

Një nga debatet më të mëdha në futboll është ai për garën mes Leo Messit e Cristiano Ronaldos. Të dy lojtarët kanë shkruar historinë e futbollit dhe është e vështirë për të zgjedhur vetëm njërin prej tyre. I fundit nga bota e sportit që ka bërë një diferencim për to është Usain Bolt, i cili në një prononcim për “La Gazzetta dello Sport”, zgjedh yllin e Juventusit si më të mirin.

“Është e vështirë për mua të zgjedh njërin prej tyre. Personalisht mbështes Argjentinën, por jam një tifoz i madh i Cristiano Ronaldos. E admiroja portugezin kur luajti për Manchester United dhe siç dihet unë jam një tifoz i zjarrtë i “Djajve të Kuq”, deklaron xhamajkani.

“Mendoj se Ronaldo ka diçka më shumë se Leo, pasi e ka provuar veten e tij në kampionate të ndryshme. Kudo ku ka shkuar ai ka fituar. Kjo është arsyeja pse unë zgjedh pikërisht Cristianon”, përfundon Bolt.


Shtuar 9.04.2021 15:17