Rinovimi me Juven, dy dëshirat dhe opsioni i shkëmbimit: Dybala në udhëkryq

Juventusi fitoi 2-1 ndaj Napolit në mesjavë, fitore tepër e rëndësishme për objektivin Champions League. Paulo Dybala u rikthye te goli pas një kohe të gjatë. Realizim fantastik i lojtarit argjentinas, e ardhmja e të cilit me kampionët e Italisë është në dyshim të madh.

Një gol i bukur nuk mjafton, teksa bisedimet në lidhje me rinovimin kanë ngecur prej kohësh. Agjentët e lojtari latin nuk janë kontaktuar nga Juventusi prej vjeshtës së kaluar dhe diferenca mes ofertë-kërkesë është e madhe.

Dybala ka kontratë deri në verën e vitit 2022 me “Zonjën”, që do detyrohej ta nxirrte në merkato në verë nëse nuk arrihet akordi i kontratës së re. 27-vjeçari ka dy preferenca: kalimin në La Liga ose transferimin te PSG.

Pikërisht te këta të fundit luajnë dy nga objektivat e Juventusit për përforcimin e sulmit: Mauro Icardi dhe Moise Kean. Njëri prej tyre pritet të zbarkojë në Torinon bardhezi në fund të sezonit, pse jo falë një shkëmbimi me Dybala.

Shtuar 9.04.2021 11:59