Refuzohet Chelsea, Mike Maignan do të mbetet te Milani

Mike Maignan do t’i qëndrojë besnik Milanit, duke i dhënë fund spekulimeve për një transferim të mundshëm gjatë kësaj vere, veçanërisht drejt Chelseat.

Trajneri Massimiliano Allegri e konfirmoi vendimin, duke u shprehur se francezi është një nga portierët më të mirë në Evropë dhe një lider i Rossonerëve.

“Jam shumë i lumtur që ai vendosi të qëndrojë. Mike është një nga portierët më të mirë në Evropë dhe një lider i vërtetë për ekipin”.

Portieri 29-vjeçar francez ka qenë një shtyllë për Milanin që nga ardhja nga Lille në vitin 2021, dhe ka luajtur një rol kyç në sukseset dhe stabilitetin e klubit në vitet e fundit.

Chelsea kishte shfaqur interes konkret, duke e konsideruar Maignan si zgjidhjen ideale për problemet në portë, por klubi londinez do të detyrohet të kërkojë alternativa tjera.

Vendimi për të qëndruar shihet si një fitore e madhe për kuqezinjtë, që po synojnë të ndërtojnë një skuadër të fortë për sezonin e ri në Serie A dhe kompeticionet evropiane.

Allegri e vlerësoi jo vetëm për paraqitjet e tij në fushë, por edhe për ndikimin në dhomat e zhveshjes dhe profesionalizmin që ai përçon çdo ditë.

Maignan mbetet një pikë kyçe në projektin e Milanit, dhe qëndrueshmëria e tij është sinjal i qartë se klubi po ruan lojtarët më të rëndësishëm për të luftuar për trofe.


Shtuar 7.07.2025 19:24