Real Madridi po shqyrton mundësinë e nënshkrimit me Alvaro Carreran, mbrojtësin e majtë që është pjesë e Benficas dhe ky veprim mund të sjellë pasoja për dy lojtarë aktualë të skuadrës, Ferland Mendy dhe Fran Garcia.
Sipas ‘The Athletic’, afrimi i Carreras do të rrisë konkurrencën në krahun e majtë të mbrojtjes, duke e bërë më të vështirë për Mendyn dhe Garcian të sigurojnë minuta të rregullta në fushë.
Fran Garcia ka pasur një sezon me hapësira të kufizuara dhe nuk ka arritur të konsolidohet në formacionin startues të Carlo Ancelottit.
Ndërkohë, Ferland Mendy ka luftuar me lëndime të përsëritura muskulore, të cilat kanë ndikuar negativisht në qëndrueshmërinë e tij fizike dhe në paraqitjet e tij.
Pikërisht për këto arsye, në Madrid ka nisur të flitet për një largim të mundshëm të Mendyt nëse në verë vjen një ofertë e kënaqshme për të.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, nuk ka ende sinjale zyrtare se asnjëri prej dy lojtarëve dëshiron të largohet nga klubi në këtë moment.
Real Madridi ndodhet përballë një sfide të rëndësishme në balancimin e përforcimeve me ruajtjen e harmonisë në skuadër, një vendim që pritet të marrë formë gjatë afatit kalimtar të verës.