Ramos i pafat, dëmtohet që në start

Sergio Ramos ende nuk ka debutuar me Paris Saint Germain, ekipin e tij të ri dhe duhet të presë ende për ta bërë.

Mbrojtësi spanjoll mësohet se ka pësuar një dëmtim, dëmtim muskular i cili do ta pengojë lojtarin që të nisë rregullisht sezonin me klubin e ri francez.

Siç bëri të ditur PSG në një komunikatë zyrtar, Ramos ka pësuar një tërheqje muskulare në kofshën e majtë dhe do të mbahet nën vëzhgim në ditët e ardhshme teksa të paktën një javë duhet të mungojë nga fushat e blerta.

Kështu sonte ndaj Sevillas dhe në fundjavë ndaj Lille, ish mbrojtësi i Realit nuk do t’i luajë duke humbur shansin për të fituar një titull menjëherë me ekipin e ri pasi ndaj Lille luhet Superkupa e Francës.

Prioriteti i Pochettinos është rikuperimi i plotë i Ramos dhe arritja e formës optimale pa e vënë nën presion ndaj dhe lojtari rrezikon edhe javën e parë të kampionatit francez, atë ndaj Troyes që pritet të luhet më 7 Gusht.

Sezonin e kaluar, Sergio Ramos u ndal nga disa dëmtime që e penguan të bënte një sezon normal me Real Madrid dhe në fund ai nuk arriti as të grumbullohej për Kampionatin Europian me Spanjën dhe në Lojërat Olimpike.

Shtuar 27.07.2021 16:29

Tags: