Rabiot ‘dorëzohet’ nga gara për titull: Juventusi duhet të luftojë për vendin e dytë

Adrien Rabiot ka pranuar se Juventusi ishte ‘i plogësht’ dhe ka humbur formën e tyre në fazën defanzive pas barazimit me rezultat 2-2 ndaj Hellas Veronës, duke i thënë ‘lamtumirë’ Scudettos.

“Ne duhet të jemi real dhe të luftojmë për vendin e dytë”, ishin fjalët e Rabiot pas përfundimit të ndeshjes.

Hellas Verona mbetet në fund të tabelës, ndërsa Juventusi tani numëron vetëm dy pikë në katër ndeshjet e fundit ndaj Empolit, Interit, Udineses dhe Veronas.

“Ne patjetër duhej të kishim bërë më shumë, ne kemi lëshuar shumë pikë së fundmi. Ne duhet të rikthehemi, por filluam të luajmë pak vonë në pjesën e dytë”, ka thënë Rabiot për DAZN.

“Detajet bëjnë diferencën, për shembull goli i dytë, ishim shumë prej nesh për të lejuar një gol të tillë. Ne duhet të gjejmë përsëri unitetin dhe formën që kishim më parë, kur ne rrallë herë pësonim gola”.

“Verona janë një ekip i talentuar, ne duhet të rikthehemi në formë, sepse është e rëndësishme që të gjejmë rrugën tek fitoret dhe vetëbesimi”, është shprehur reprezentuesi francez.

“Ne duhet të jemi real tani, Interi janë në rrugë të mirë dhe ne duhet të luftojmë që të mbajmë pozitën e dytë. Arritëm deri këtu me 53 pikë dhe tani duhet të rigjejmë përsëri atë formën që kishim dhe të luftojmë për vendin e dytë”, përfundoi ai. /Telegrafi/


Shtuar 17.02.2024 23:39