Ligës së Evropës i bashkohet edhe një interes i madh financiar, përtej rëndësisë sportive që ka ky kompeticion. Shpërblimi për klubet rritet në varësi të rezultateve dhe fazës ku arrin secila skuadër.
Të lidhura
None found
Fondi total i çmimeve për sezonin e ri është 565 milionë euro. Kjo shumë do të ndahet mes klubeve sipas paraqitjeve dhe ecurisë së tyre në turne.
Secila prej 36 skuadrave të kualifikuara në fazën e ligës siguron 4.3 milionë euro vetëm për pjesëmarrjen në këtë fazë.
Rezultatet e ndeshjeve ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhurat e ekipeve. Një fitore vlen 450 mijë euro, ndërsa një barazim shpërblehet me 150 mijë euro.
Një tjetër pagesë u akordohet klubeve në bazë të renditjes së tyre pas përfundimit të fazës së ligës.
Ekipet që mbyllin këtë fazë në tetë pozicionet e para marrin nga 600 mijë euro secili. Për skuadrat e renditura nga vendi i 9-të deri në të 16-in, shpërblimi është sa gjysma e kësaj shume.
Pozicioni në tabelë përcakton edhe një bonus shtesë. Ky shpërblim nis me 75 mijë euro për skuadrën që renditet e 36-ta dhe shkon deri në 2.7 milionë euro për ekipin që e përfundon fazën e ligës në vendin e parë.
Me kalimin në fazën me eliminim direkt, shumat bëhen edhe më të mëdha. Kualifikimi në 1/8 e finales sjell 1.8 milionë euro, ndërsa një vend në çerekfinale shpërblehet me 2.5 milionë euro.
Skuadrat që arrijnë në gjysmëfinale përfitojnë 4.2 milionë euro. Ndërkohë, ekipi që siguron pjesëmarrjen në finale merr 7 milionë euro të tjera.
Si rezultat, një skuadër që regjistron rezultate pothuajse perfekte dhe e mbyll garën deri në fund, mund të arkëtojë gjithsej rreth 45 deri në 50 milionë euro.
Kjo përbën një të ardhur të rëndësishme për klubet pjesëmarrëse, edhe pse shifra është dukshëm më e ulët se ajo që mund të përfitohet në Ligën e Kampionëve.
