PSG “projekton” Pjanic, Barcelona pret thjeshtë ofertën

Klubi i Barcelonës është i angazhuar në përshpejtimin e operacioneve në dalje, një procedurë thelbësore për të balancuar llogaritë, kusht i kërkuar nga LaLiga dhe UEFA. Një nga emrat që klubi “blaugrana” ka në mendje të largojë për të lehtësuar masën e pagave është Miralem Pjanic, i cili një vit pas transferimit në “Camp Nou” nuk ka përmbushur pritshmëritë dhe mbetet jashtë planeve të trajnerin Koeman.

Trajneri i Juventusit, i rikthyeri Massimiliano Allegri, dëshiron ta ketë nën urdhrat e tij boshnjakun, ndërkohë që PSG dhe Chelsea po e vëzhgojnë me vëmendje situatën e mesfushorit. Mediet franceze konfirmojnë se Pjanic është në listën e klubit parisien.

Pas nënshkrimit të kapitenit të Holandës, Georginio Wijnaldum ​drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo, dhe trajneri Mauricio Pochettino, duan një mesfushor të nivelit më të lartë për aspiratat e tyre për të fituar për herë të parë Championsin.

Boshnjaku 31-vjeçar ka kontratë deri në vitin 2024 me “blaugranat”, por nevojat e klubit për të ulur kostot e vendosin Pjanicin në merkato. Tashmë pritet oferta zyrtare e parizienëve, që do të analizohet me kujdes nga drejtuesit e Barcelonës.


Shtuar 26.06.2021 17:34