Prodhim i “La Masia”, Barcelona kërkon me ngulm yllin e Leipzig

Shkëlqeu në Holandë, po shkëlqen në Gjermani, dhe sezonin e ardhshëm ekziston mundësia që të tregojë vlerat e tij në Spanjë, aty ku nisi gjithçka.

Prodhimi i Akademisë së “La Masia”, “fabrika” e prodhimit të talenteve për “Katalanasit” e Barcelona, Xavi Simons duket se është i destinuar për gjëra të mëdha. Pavarësisht se mban mbi supe vetëm 21 vite.

Talenti i repartit ofensiv po kalon një periudhë fantastike i huazuar te “Demat” gjermanë të RB Leipzig.

Në 41 ndeshjet e zhvilluara këtë sezon, ai ka arritur të shënojë 9 gola dhe të asistojë plot 15 të tjerë.

Kjo është një rënie e vogël në statistika krahasuar me periudhën e tij te PSV sezonin e shkuar, por duke parë rritjen e vështirësisë së sfidave, kualiteti i tij mund të thuhet se është rritur.

Pas PSV dhe Leipzig, tashmë shërbimet e Simons i kërkon pikërisht klubi që vendosi ta shiste para dy sezonesh, “Katalanasit” e Barcelona.

Sipas raportimeve më të fundit të mediave spanjolle, Barcelona ka filluar kontaktet e para me “gjigantët” e Paris Saint-Germain për të siguruar shërbimet e 21-vjeçarit.

Megjithatë, deri më tani nuk ka asgjë konkrete, teksa pritet nisja e merkatos së verës për të mësuar diçka më shumë lidhur me të ardhmen e tij.


Shtuar 29.06.2024 22:05