Barcelona tashmë ka filluar planet e tyre për sezonin e ardhshëm dhe duket se ata kanë marrë vendim që të vazhdojnë me Robert Lewandowskin në krye të sulmit sipas raportimeve të fundit.
Ka tri arsye pse klubi blaugranas ka vendosur t’i besojë sulmin 35-vjeçarit, ndonëse më herët ishte raportuar se ai do largohet në verë.
Problemet me para – Barcelona është ende në vështirësi financiare për shkak të shtrëngimit të rregullave financiare nga La Liga.
Për këtë arsye, blaugranasit nuk e kanë qëllimin që të shpenzojnë para për blerjen e një sulmuesi tjetër nëse Lewandowski largohet, sidomos pas ardhjes së Vitor Roques.
Lewandowski dëshiron qëndrimin – Lewandowski ka refuzuar një ofertë nga Arabia Saudite në vlerë prej 100 milionë eurosh, vetëm sepse ai dëshiron të qëndrojë tek Barcelona.
Klubi e sheh këtë si shenjë që lojtari mbetet i përkushtuar në kauzën e tyre.
Lewandowski ende ka shifra të mira – sulmuesi polak po vazhdon të shënojë gola tek Barcelona përkundër momenteve të vështira nëpër të cilat kaloi këtë sezon.
Lewandowski ka shënuar 20 gola dhe ka dhuruar nëntë asistime, teksa kanë mbetur më shumë se 10 ndeshje për tu luajtur.
Barcelona thuhet se janë vënë në ‘gjah’ për nënshkrimin me Erling Haaland në 2026, pikërisht atëherë kur Lewandowski do të bëhej lojtar i lirë. /Telegrafi/