Arsenali ka marrë një lajm të madh sa i përket afatit kalimtar veror, pasi njëri prej objektivave të tyre kryesor raportohet se u ka dhënë ‘Topçinjve’ dritën e gjelbër për ta realizuar transferimin.
Klubi londinez tash e sa kohë ka eksploruar tregun për të gjetur një sulmues të ri, pasi Eddie Nketiah do të largohet në fund të këtij sezoni.
Kai Havertz ishte aktivizuar në qendër të sulmit në sezonin e tij të parë në ‘Emirates’ duke dhuruar paraqitje të mira.
Por, Mikel Arteta dëshpërimisht ishte vënë në kërkim të një sulmuesi të ri dhe ylli i Leipzigut, Benjamin Sesko, ishte objektivi i tij kryesor.
21-vjeçari ka tërhequr interesim nga një numër i madh klubesh, duke përfshirë këtu Chelsean, Liverpoolin, Manchester United dhe disa të tjera në Itali.
Sidoqoftë, sipas The Mirror, ‘Topçinjtë’ janë duke kryesuar garën për shërbimet e sulmuesit slloven, preferenca e të cilit është transferimi në Londrën Veriore.
Agjenti i Seskos, Elvis Basanovic, ishte parë prezent në ndeshjet e Arsenalit këtë sezon, por ai gjithashtu ka përcjellur nga afër edhe disa ndeshje të Man United në ‘Old Trafford’.
Kartoni i Sesko vlerësohet rreth 45 milionë euro dhe ai sapo ka përfunduar një sezon në të cilin ka qenë autor i 18 golave të shënuar.
Sesko nuk ishte lojtari i vetëm në listën e ngushtë të Arsenalit për një sulmues të ri, pasi Brian Bobbey i Ajaxit dhe Evan Ferguson i Brightonit, besohet se ishin në mesin e emrave të përzgjedhur. /Telegrafi/