7 fitore, 2 barazime dhe 6 humbje në 15 ndeshje, vendi i 9-të në Premier League, këto janë shifrat e Liverpool këtë sezon, shifra që flasin qartë për një dështim të madh, të paktën deri më tani.
Askush nuk e imagjinonte që të kuqtë të përjetonin një sezon të tillë, për më tepër pasi zhvilluan një merkato sheikësh, klubi që investoi më shumë në vere.
Të lidhura
None found
Në kushte të tilla i pari nën akuzë është trajneri Arne Slot, i cili sot më shumë se kurrë ndjen që stoli i tij po lëkundet ndjeshëm.
Mbi teknikun holandez rendon shumë edhe çështja “Salah”, me sulmuesin egjiptian i cili shpërtheu pas ndeshjes kundër Leeds United ku zbuloi se mes tij dhe trajnerit nuk ka asnjë kontakt:
“Nuk kam asnjë raport me të. Jam shumë i zhgënjyer. Kam bërë shumë gjëra për këtë klub, por tani e shoh veten në pankinë dhe nuk e di arsyen përse. Më duket vetja sikur klubi më ka hedhur poshtë një autobusi, mendon se është shumë e qartë, dikush nuk më dëshiron në skuadër”, u shpreh Salah.
Në Angli, mediat shkruajnë se Slot është shumë pranë shkarkimit, madje fati i tij mund të vendoset pas ndeshjes kundër Inter në Champions League.
Gjithnjë sipas mediave angleze, pasuesi i tij pritet të jetë një legjendë si Steven Gerrard. Ish-kapiteni i famshëm i kuq mund të jetë një opsion tranzit deri në fund të sezonit, për t’u dhënë kohë drejtuesve për të gjetur një trajner të ri.
Dëshira e madhe e tyre është Julian Nagelsmann, trajneri aktual i përfaqësues së Gjermanisë. Ky i fundit pritet të jetë i lirë pas përfundimit të Botërorit “FIFA2026”.
