Gazetari italian Alessandro Jacobone ka thënë se Milani po punon në prapaskena për ta sjellë trajnerin e Brightonit, Roberto De Zerbi, ani pse edhe Thiago Motta mbetet një kandidat i mundshëm për tu ulur në stolin e kuqezinjve.
Stefano Pioli është nën kontratë me Milanin deri në 2025, por raportimet e fundit nga Italia pretendojnë se “Rossonerët” po mundohen që të gjejnë një trajner të ri për sezonin 2024/2025.
Motta, De Zerbi dhe Conte besohet se janë kandidatët kryesor për këtë rol dhe Jacobone tashmë ka përditësuar situatën e De Zerbit.
“E di se Milani po punon në prapaskena për ta sjellë De Zerbin. Ata e bëjnë këtë pasi kanë mësuar se ai dëshiron të rikthehet në Itali. Të mos harrojmë gjithashtu se asistenti i tij është Andrea Maldera, një tifoz i flaktë i Milanit”.
“Rossonerët duan të provojnë, por ka vështirësi. Ka një klauzolë lirimi prej 13 milionë eurosh, që për një trajner duket shumë, por nëse dëshironi të planifikoni një të ardhme, ju nuk mund të ndaloni në këtë shumë. Milani do të provojë”, ka thënë Jacobone.
De Zerbi më herët kishte qenë në krye të Sassuolos, ndërsa gjatë kësaj jave do të rikthehet në Itali për fazën e 1/8 së finales në Ligën e Evropës ndaj Romës në “Stadio Olimpico”.
Ai ka qenë produkt i akademisë së Milanit, por nuk e kishte bërë kurrë debutimin e tij zyrtar me kuqezinjtë si futbollist. /Telegrafi/