Pini Zahavi, agjenti i sulmuesit të njohur Robert Lewandowski, ka konfirmuar qëndrimin e lojtarit te Barcelona, duke qetësuar spekulacionet rreth të ardhmes së tij.
“Sigurisht që do të qëndrojë te Barcelona”, ka thënë Zahavi për mediat, kur u pyet rreth perspektivës së polakut.
Agjenti ka pasur takime me presidentin e Barcelonës, Joan Laporta, dhe ish-lojtarin e klubit dhe aktualisht drejtorin sportiv, Deco, ku me gjasë është diskutuar për të ardhmen e Lewandowskit tek Barcelona.
Të martën, u raportua se klubi katalunas planifikon të mbështetet te 35-vjeçari për sezonin e ardhshëm, pavarësisht periudhës së fundit me pak efikasitet nga ana e sulmuesit.
Kontrata aktuale e Lewandowskit me Blaugranasit skadon vetëm në vitin 2026. Mes lojtarit dhe klubit ekziston gjithashtu një opsion për zgjatjen e kontratës për një vit shtesë.
Deri më tani, Lewandowski ka arritur të shënojë 42 gola dhe ka dhënë 12 asistime në 66 ndeshje për katalanasit. Këtë sezon, ai ka regjistruar vetëm 9 gola dhe 4 asistime në 20 ndeshje për skuadrën e Xavit. /Telegrafi/