Pensionimi duket larg, zbulohet propozimi i ri i Interit për Handanovic

Kohë rinovimesh te Inter, që pasi mori garanci nga grupi kinez Suning për vijimin e projektit, ka nisur të blindojë futbollistët dhe i pari që firmosi zgjatjen e kontratës, ishte sulmuesi Lautaro Martinez, që tani është i lidhur me milanezët deri në verën e 2026-ës.

Në ditët e ardhshme radhën për të firmosur kontratën e re e kanë emra si Nicolo Barella, Marcelo Brozovic dhe Federico Dimarco, me të cilët është arritur tashmë marrëveshja dhe pritet vetëm zyrtarizimi.

Një tjetër futbollist që ka kontratë deri në fund të sezonit me zikaltrit, është edhe kapiteni Samir Handanovic, i cili nuk ofron më garancitë e dikurshme edhe për shkak të moshës, ndaj drejtuesit e Interit kanë bllokuar holandezin Onana për sezonin e ardhshëm.

Megjithatë edhe sllovenit Handanovic i është ofruar rinovimi i kontratës edhe për një tjetër sezon, nayrisht tashmë jo më me numrin një mbi shpinë dhe sigurisht jo me të njëjtat shifra ekonomike.

Drejtuesit e klubit kanë formuluar një propozim që sheh Handanovic edhe një vit në Milano, në rolin e portierit të dytë dhe me një pagë prej dy milionë eurosh në sezon, nga 3.5 që slloveni fiton aktualisht.

Gjasat janë që gardiani të pranojë marrëveshjen e re, pasi verën e ardhshme do të ketë 38 vite mbi shpinë dhe vështirë se ndonjë klub tjetër mund t’i ofrojë një kontratë dhe kushte më të mira për të mbyllur karrierën.


Shtuar 30.10.2021 23:11