Pas triumfit në Topin e Artë, Kane premton dhurata luksoze për shokët e skuadrës te Bayerni dhe Anglia

Fituesi i Topit të Artë, Harry Kane, ka vendosur ta ndajë këtë sukses me bashkëlojtarët e tij te Bayern Munichu dhe Kombëtarja e Anglisë.

Sulmuesi anglez e siguroi për herë të parë në karrierë këtë trofe prestigjioz pas një viti të jashtëzakonshëm, duke triumfuar përpara Kylian Mbappes dhe Lamine Yamalit.

Të lidhura

None found

Çmimin ai e pranoi në qytetin ku ka lindur, ndërsa gjatë fjalimit emocionues shprehu mirënjohjen për të gjithë personat që e kanë ndihmuar të arrijë në majën e futbollit botëror.

Statistikat e tij gjatë vitit 2026 ishin mbresëlënëse: 33-vjeçari realizoi 61 gola në 51 ndeshje në të gjitha garat me Bayern Munichun, ndërsa me përfaqësuesen angleze shënoi 12 herë.

Pas ceremonisë, Kane e festoi suksesin në një mbrëmje të organizuar në një klub nate në lagjen Soho. Tashmë, ai dëshiron që kjo arritje historike të përfshijë edhe bashkëlojtarët e tij.

Kapiteni i Anglisë ka bërë të ditur se synon t’u blejë dhurata futbollistëve të Bayernit dhe kombëtares, për t’i falënderuar për rolin e tyre në rrugëtimin drejt këtij triumfi. Në mesin e dhuratave që mund t’u bëjë janë edhe orët luksoze.

“Disa nga djemtë më kanë kërkuar orë apo diçka të ngjashme, kështu që do të më duhet të gjej diçka të bukur për ta, si te Bayerni, ashtu edhe te Anglia. Do ta shqyrtoj këtë mundësi dhe do të sigurohem që secili të marrë një dhuratë të bukur”, ka deklaruar Kane, sipas BILD.

Gjatë ceremonisë së Topit të Artë, vetë futbollisti anglez mbante një Rolex Daytona, një orë shumë të rrallë me vlerë afërsisht 1.2 milionë euro.

Ky sukses e rendit Kane në mesin e vetëm gjashtë anglezëve që kanë fituar Topin e Artë, pas Sir Stanley Matthews, Sir Bobby Charlton, Kevin Keegan dhe Michael Owen.//