Kylian Mbappe po përballet me një valë të re kritikash në Real Madrid, pasi disa drejtues të klubit nuk janë të kënaqur me sjelljen dhe vendimet individuale të sulmuesit francez.
Të lidhura
None found
Sipas OK Diario, në ambientet e klubit madrilen është shtuar shqetësimi për mënyrën se si po vepron Mbappe.
Disa prej drejtuesve mendojnë se francezi në raste të caktuara ndjek më shumë interesat e veta sesa linjën e përcaktuar nga klubi.
Një prej episodeve që ka ngjallur reagime lidhet me periudhën e rikuperimit të tij nga problemet në gju.
Gjatë kësaj kohe, Mbappe u fotografua duke ngarë biçikletën. Ky aktivitet ishte kritikuar më herët publikisht nga trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, i cili kishte nënvizuar se futbollistët duhet të tregojnë kujdes maksimal edhe jashtë fushës.
Qëndrimi i tij për arbitrimin është një tjetër çështje që ka krijuar pakënaqësi brenda klubit.
Real Madridi ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj gjyqtarëve, ndërsa Mbappe është shprehur ndryshe, duke thënë se ata janë njerëz dhe se ai nuk ka qenë asnjëherë lojtar që ankohet për vendimet e tyre.
Reagime të pafavorshme ka shkaktuar gjithashtu edhe pozicioni i francezit për mbështetjen institucionale të Real Madridit ndaj Ceutës.
Sipas raportimeve, në Madrid është krijuar përshtypja se Mbappe ka zgjedhur të mbajë një qëndrim personal në një çështje për të cilën klubi kishte shpallur më parë një pozicion të qartë.
Një tjetër shqetësim në Valdebebas lidhet me vëmendjen që Mbappe po i kushton objektivave personale, veçanërisht synimit për të fituar Topin e Artë.
Megjithëse rëndësia e tij për skuadrën në aspektin sportiv nuk vihet në dyshim, kritikat ndaj sulmuesit francez janë shtuar ndjeshëm.
Sipas raportimit, një pjesë e drejtuesve të Real Madridit tashmë beson se Mbappe, në situata të caktuara, po i vendos objektivat personale mbi interesat e ekipit. Për këtë arsye, marrëdhënia mes klubit dhe yllit francez po ndiqet me më shumë vëmendje se më parë.
