Partizani prej ditësh vazhdon përgatitjet për duelin me Tiranë që do të luhet ditën e premten në orën 19:00 në “Air Albania”. Emocionet e derbit kanë nisur prej ditësh të “kaplojnë” tifozët dhe vetë protagonistët dhe në arenën kombëtare si çdo herë tjetër do të jetë spektakël.
Orges Shehi për herë të parë që kur mori drejtimin e demave do të luajë kundër Tiranës, ndërsa do të synojë “hakmarrje” ndaj bardhebluve në derbin që vjen më shumë se 3 pikë, ndeshje që vlen për krenarinë e një qyteti.
Por kur jemi 2 ditë përpara kësaj superndeshjeje, Shehi “qan e qesh”. Një rikthim dhe një mungesë të rëndësishme do të ketë për sfidën e të premtes. Rikthehet Maguette, me senegalezin që ka kaluar problemin me shpatullën dhe ka nisur stërvitjen me grupin.
Ndërkohë nga ana tjetër vazhdon të mundojë Albers Keko. Sulmuesi prej javësh vuan nga një dëmti i vogël në këmbë, i cili është shkaktuar nga këpucët dhe ish-i i Korabit nuk do të mund të japë kontributin e tij as në derbi. /newsport.al/