Michael Olise është i gatshëm ta lidhë të ardhmen e tij afatgjatë me Bayern Munichun, por për të firmosur kontratën e re kërkon një kusht të veçantë.
Të lidhura
None found
Futbollisti francez dëshiron që marrëveshja të përmbajë një klauzolë të lartë lirimi. Kështu, ai do të ruante mundësinë për të vendosur mbi të ardhmen e tij, veçanërisht në një kohë kur Real Madridi ka shfaqur interes të madh për të.
Bayern Munich synon ta zgjasë kontratën e 24-vjeçarit, e cila përfundon në vitin 2029, deri në vitin 2032. Klubi bavarez raportohet se i ka propozuar edhe një rritje të konsiderueshme page, në rreth 24 milionë euro në vit, duke e afruar me pagat e Harry Kane dhe Jamal Musialas.
Megjithatë, përfaqësuesit e Olises nuk e kanë pranuar ende ofertën. Sipas Bild, ai do të nënshkruajë vetëm nëse në kontratë vendoset një klauzolë lirimi prej rreth 195 milionë eurosh. Nëse një klub do ta paguante atë shumë, Olise do të mund të vendoste vetë për largimin e tij.
Bayern kërkon t’i përfundojë sa më parë bisedimet, sidomos pas nisjes së shkëlqyer të sezonit nga francezi, i cili ka dhënë tashmë 12 kontribute direkte në gola në vetëm shtatë paraqitje.
Kërkesa për klauzolën e lirimit lidhet kryesisht me zërat për një kalim të mundshëm te Real Madridi. Sipas L’Equipe, gjatë Kupës së Botës 2026, Olise kishte folur për mundësinë e një transferimi në kryeqytetin spanjoll me bashkëkombësit Kylian Mbappe dhe Aurelien Tchouameni.
