Nuk kanë të sosur telashet për Dakun: Bën mirë mos të kthehesh më në Rusi

Telashet duket se nuk kanë të sosur për Mirlind Dakun. Sulmuesi I kombëtares tonë u pezullua nga UEFA për shkak të thirrjeve që sulmuesi i Kombëtares shqiptare bëri kundër serbëve dhe maqedonasve, pas ndeshjes me Kroacinë në Euro 2024. Daku u dënua me 2 ndeshje nga UEFA, por nuk mbaron këtu, pasi situata është bërë më shumë serioze.

26 vjeçari që aktivizohet me Rubin Kazan në Rusi, ka marrë një kërcënim të hapur nga brigada e kuqe, “Espanyola”. Këta të fundit janë një brigadë vullnetare ushtarake ruse e cila përbëhet nga tifozë të ekipeve të ndryshme të futbollit. “Espanyola” ka kërcënuar me jetë Mirlind Dakun për shkak të thirrjeve kundër serbëve.
Madje, “Espanyola” paralajmëron sulmuesin shqiptar që ndaj tij nuk do të ketë falje, pasi tashmë është shumë vonë. Ndër të tjera, “Brigada e Kuqe” i drejtohet Dakut duke i thënë që është më mirë për të që të mos kthehet më kurrë në Rusi.

“Siç e dini, lufta në Jugosllavi në vitin 1991 filloi me futbollin. Lufta moderne, e cila po zhvillohet në territorin e ish-Ukrainës si pjesë e Operacionit Special Ushtarak, ishte pa futboll, derisa Espanyola solli sportin tonë të preferuar në Donbass. Tani të gjitha ndeshjet më interesante zhvillohen pranë Chasovo Jaro. Edhe pse nuk ndjekim se çfarë po ndodh në EURO 24, na vijnë disa lajme. Dhjetëra lidhjet tona të yjeve në vijën e parë po funksionojnë siç duhet. Kështu u tronditëm shumë kur dëgjuam se një lojtar i Rubin Kazanit me origjinë shqiptare, që luan në ligën tonë, pati guximin të këndonte me megafon dhe të bënte thirrje për vrasjen e serbëve. Ai ka diçka kundër të gjithë vëllezërve tanë ballkanas… Espanyola i drejtohet Dakut. Ne do të jemi të prerë. Më mirë të mos kthehesh në Rusi! Asnjë falje nuk do të ndihmojë këtu. Është shume vonë. Mirupafshim!”, është mesazhi i “Espanyola” për Mirlind Dakun.


Shtuar 28.06.2024 20:15