Jose Mourinho është shkarkuar nga Roma pas dy viteve e gjysmë qëndrim te klubi kryeqytetas italian.
Trajneri portugez nuk kishte rezultate këtë edicion me Romën që ka mbetur në pozitën e nëntë në kampionat dhe eliminimi nga Kupa e Italisë ku u mposht nga rivali lokal Lazio ishte i rëndë për Romën çka bëri që drejtuesit e klubit ta shkarkojnë portugezin.
Por jo vetëm rezultatet e dobëta ishin arsyeja e shkarkimit të tij, pasi mediat italiane kanë raportuar se Special One kishte prishur edhe raportet me një pjesë të madhe të futbollistëve.
Corriere dello Sport ka raportuar sot se tre lojtarët më të vjetër të ekipit, kapiteni Lorenzo Pellegrini si dhe dy mbrojtësit anësorë Rick Karsdorp dhe Leonardo Spinazzola ishin kundër trajnerit.
Gjithashtu kundër tij kishin dalë edhe mbrojtësi anglez Chris Smalling që një kohë të gjatë është jashtë fushave shkaku i një lëndimi misterioz.
Së fundmi kundër tij doli edhe bashkëkombësi i Mourinhos, Renato Sanches pasi në sfidën ndaj Bolognës e aktivizoi në minutën e 46-të dhe vetëm 18 minuta më vonë e largoi nga loja.
Mourinho herë pas here kishte dhënë deklarata duke akuzuar lojtarët e tij dhe kjo si duket në fund i kushtoi atij pasi disa nga futbollistët kryesorë të Romës ia kthyen shpinën trajnerit portugez.
Pas shkarkimit të Mourinhos, Roma ka gjetur menjëherë zëvendësuesin e tij duke i besuar drejtimin e skuadrës legjendës Daniele De Rossi deri më 30 qershor. /Telegrafi/