Një legjendë mund ta marrë drejtimin e Romës nëse Mourinho shkarkohet para fundit të sezonit

E ardhmja e Jose Mourinhos te Roma vazhdon të jetë ende e paqartë, kur trajneri portugez është futur në muajt e fundit të kontratës.

Situata nuk është aspak e mirë te Roma dhe rezultatet po mungojnë kohëve të fundit, ku kjo ka bërë që e ardhmja e portugezit të jetë në dyshim.

Drejtuesit e Romës ende nuk kanë vendosur për kontratën e re të trajnerit, derisa La Gazzetta dello Sport ka raportuar se mund të ketë një ndarje të parakohshme.

Gjithnjë sipas kësaj gazete, drejtimin e Romës mund ta marrë legjenda e këtij klubi Daniele De Rossi, një i sapodiplomuar në UEFA Pro.

Edhe pse De Rossi nuk ka përvojë të gjatë si trajner, përveç që ishte për disa muaj te SPAL dhe si ndihmës i Roberto Macinit te Italia, ai është favoriti për ta marrë përkohësisht drejtimin e Romës.

Njohuritë e tij të thella për klubin dhe lidhja e tij e fortë emocionale me tifozët e pozicionojnë atë në rolin e favoritit për ta marrë drejtimin e Romës nëse shkarkohet Jose Mourinho.

Gjithsesi te Roma në listën e dëshirave janë edhe Antonio Conte e Thiago Motta për sezonin e ri. /Telegrafi/


Shtuar 15.01.2024 19:01