Meritan Shabani do ta vazhdojë karrierën në Tajlandë, pasi mesfushori shqiptar ka përfunduar transferimin te Pattaya United, skuadër që konkurron në ligën e dytë të vendit.
Rrugëtimi i 27-vjeçarit dëshmon se sa të paparashikueshme mund të jenë zhvillimet në futboll. Ai doli nga akademia e Bayern Munichut dhe, në moshën 19-vjeçare, arriti të bëhej pjesë e ekipit të parë, me të cilin luajti disa ndeshje.
Të lidhura
None found
Për shkak të konkurrencës së madhe, Shabani vendosi të kërkonte një tjetër destinacion. Më pas u transferua në Ligën Premier te Wolverhampton Wanderers, ku nënshkroi një marrëveshje trevjeçare.
Pas kësaj lëvizjeje, karriera e shqiptarit mori një trajektore në rënie. Ai luajti më vonë për VVV-Venlo në Holandë, Grasshopper Zurich në Zvicër, ND Gorica në Kroaci dhe, së fundmi, për AC Bellinzona në Zvicër.
Kalimi te Pattaya United, në nivelin e dytë të futbollit tajlandez, përbën rënien më të madhe të karrierës së tij deri më tani.
“Pattaya United përfundon marrëveshjen për të nënshkruar me Meritan Shabanin, një lojtar të akademisë së të rinjve të Bayern Munich, për të forcuar sulmin për sezonin 2026/27”.
Në njoftimin e klubit thuhet gjithashtu: “Ardhja e Meritan Shabanit konsiderohet një shtesë kyçe në skuadrën ‘Dolphin’, duke rritur opsionet e tyre sulmuese dhe duke përmirësuar potencialin e ekipit para fillimit të sezonit”.
Gjatë karrierës së tij, Shabani ka qenë edhe përfaqësues i ekipit kombëtar gjerman U-20.
