Valton Haxhiu po e zhvillon karrierën e tij në futboll përmes një rruge që e nisi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e vijoi në Gjermani dhe tani po e vazhdon në Kosovë, ku është pjesë e Prishtinës së Re.
20-vjeçari aktivizohet si sulmues krahu dhe karakterizohet nga shpërthimi, goditja e fuqishme dhe aftësia në lojën ajrore. Këto cilësi e bëjnë një futbollist të rrezikshëm në repartin ofensiv.
Të lidhura
None found
Me synimin për t’u bërë profesionist, Haxhiu vendosi të largohej nga Amerika dhe të provonte veten në futbollin evropian. Fillimisht ai u bashkua me Kaiserslauternin U19 në Gjermani, ku u përball me një ritëm më të lartë dhe me konkurrencën e fortë të këtij futbolli.
Pas eksperiencës gjermane, rrugëtimi i tij vazhdoi në Kosovë, te Prishtina e Re. Tash, ai synon të përparojë sa më shumë, ta ndihmojë ekipin të sigurojë inkuadrimin në Superligë dhe të afrohet me objektivin për të luajtur për Kosovën, fillimisht me U21-shin e më pas edhe me Kombëtaren A.
Nga aktivitet fizik te ëndrra për profesionin
Haxhiu e nisi futbollin kur ishte vetëm katër vjeç. Në atë kohë, prindërit e regjistruan në këtë sport kryesisht që të merrej me aktivitet fizik, por me kalimin e viteve futbolli u shndërrua në një pjesë thelbësore të jetës së tij.
“Në fillim futbolli ishte vetëm një hobi. Prindërit më dërguan në këtë sport që kur isha 4-vjeçar, me qëllim që të bëja aktivitet fizik. Mirëpo, vite më vonë e kuptova se futbolli për mua ishte më shumë se një sport, ishte mënyrë jetese. Kur shihja futbollistët e mëdhenj dhe emocionet e tyre pas golave, nisa të ëndërroja që një ditë edhe unë t’i përjetoja ato çaste. Pikërisht kjo më shtyu ta ndiqja futbollin në mënyrë profesionale”, rrëfen Haxhiu për Telegrafin.
Hapi drejt futbollit evropian
Pas përfundimit të shkollës së mesme në Amerikë dhe pasi mbushi 18 vjet, futbollisti vendosi të kërkonte një sfidë të re në Evropë. Kështu, ai iu bashkua Kaiserslauternit U19 në Gjermani, ku u përball me një nivel më të lartë dhe me konkurrencë të madhe.
“Kur mbusha 18 vjet dhe përfundova shkollën e mesme në Amerikë, vendosa të provoja veten në futbollin evropian. U transferova te Kaiserslauterni U19 në Gjermani, duke nisur një etapë të re në karrierën time.
Atje gjeta një futboll më cilësor, me intensitet të madh dhe konkurrencë shumë të fortë. Ishte një eksperiencë jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse më ndihmoi të zhvillohem dhe të kuptoj më mirë kërkesat e futbollit profesionist”, shprehet ai.
Prishtina e Re, mundësia për të luajtur me seniorët
Pas periudhës në Gjermani, Haxhiut iu krijua mundësia të rikthehej në Kosovë përmes disa kontakteve që i siguruan prova te Prishtina e Re.
Talenti i tij bindi klubin prishtinas. Në këtë proces rol pati drejtori sportiv Sami Borovci, i cili besoi te aftësitë e tij, si dhe trajneri Qëndrim Kida.
“Mundësia për të ardhur në Kosovë u krijua falë disa kontakteve që kisha. Nëpërmjet tyre sigurova provat te Prishtina e Re. Për mua ishte një mundësi e mirë për ta vazhduar karrierën dhe për të parë se si mund të përshtatesha në futbollin kosovar”, tregon Haxhiu.
Ai tregon se përshtatja në skuadër ishte e shpejtë, falë pritjes pozitive nga drejtuesit, stafi teknik dhe bashkëlojtarët. Për të, kalimi te Prishtina e Re shënoi edhe përfshirjen e parë në futbollin senior.
“Që në ditën e parë jam ndier i mirëpritur nga të gjithë, duke nisur nga drejtuesit e klubit, stafi i trajnerëve dhe deri te bashkëlojtarët.
Këtu për herë të parë u përfshiva në futbollin senior, duke u stërvitur dhe luajtur me futbollistë profesionistë. Ky mjedis më ka ndihmuar të përshtatem, të fitoj përvojë dhe të bëhem më i mirë si lojtar”, deklaron ai.
Goli i parë dhe objektivi i Superligës
Prishtina e Re ka në përbërje futbollistë me përvojë, përfshirë lojtarë që kanë luajtur në Superligën e Kosovës dhe emra të dëshmuar. Megjithatë, Haxhiu ka arritur të fitojë minutat e tij dhe të lërë gjurmë me paraqitjet e para.
Momenti më i rëndësishëm deri tani ishte goli i tij i parë, i shënuar të mërkurën në fitoren ndaj Lepencit. Sulmuesi e konsideron këtë realizim si rezultat të punës së vazhdueshme dhe të besimit që i dha trajneri Kida.
“Goli i parë ishte një çast shumë i veçantë për mua. Pas shumë stërvitjeve dhe punës së pandërprerë, trajneri Kida më dha mundësinë të luaja dhe jam i lumtur që e shpërbleva besimin e tij me gol. Për këtë arsye golin ia dedikova atij. Dua të kontribuoj sa më shumë me gola dhe paraqitje të mira, ndërsa synimi kryesor i ekipit është ngjitja në Superligë”, thotë Haxhiu.
20-vjeçari hyri në lojë në fillim të pjesës së dytë dhe, përveç golit, goditi edhe shtyllën.
Eksperienca me Kosovën U19 dhe synimi për fanellën dardane
Gjatë kohës që jetonte në Amerikë, Haxhiu ishte pjesë e një kampi të Kombëtares së Kosovës U19, i mbajtur në New York. Ai u ftua nga ish-përzgjedhësi Adil Maliqi dhe gjatë grumbullimit luajti edhe në një ndeshje miqësore.
“Kur isha në Amerikë, pata rastin të merrja pjesë në një kamp të Kosovës U19, i cili u organizua në New York. Ftesën ma bëri ish-përzgjedhësi Adil Maliqi dhe gjatë atij grumbullimi luajtëm edhe një ndeshje miqësore. Ishte një përvojë shumë pozitive dhe më dha motiv shtesë për të vazhduar punën drejt synimeve të mia”, tregon futbollisti.
Edhe pse ka lindur dhe është rritur jashtë Kosovës, ai e sheh përfaqësimin e vendit të prejardhjes si një prej objektivave më të mëdhenj të karrierës.
“Përfaqësimi i Kosovës është padyshim një nga ëndrrat e mia kryesore. Ndonëse kam lindur dhe jam rritur jashtë vendit, gjithmonë kam dashur të luaj për Kosovën dhe për popullin nga vij. Do të ishte një krenari e jashtëzakonshme të vishja fanellën e Kombëtares. Do të punoj fort që fillimisht të marr ftesë nga Kosova U21. Aktualisht jam i përqendruar te zhvillimi im, te paraqitjet e mira me klubin dhe te puna e përditshme për të arritur nivele më të larta. Besoj se më pas do të vijë edhe ftesa”, thekson sulmuesi i krahut.
Çfarë mori nga futbolli amerikan dhe ai gjerman
Dy eksperiencat jashtë Kosovës kanë ndikuar në aspekte të ndryshme të zhvillimit të Haxhiut. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ai fitoi më shumë në drejtim të përgatitjes fizike dhe përmirësimit individual, ndërsa në Gjermani kuptoi rëndësinë e disiplinës, taktikës dhe konkurrencës.
“Futbolli amerikan më ka ndihmuar veçanërisht në zhvillimin individual dhe në përgatitjen fizike. Në Gjermani, ndërkaq, mësova sa të rëndësishme janë disiplina, intensiteti, taktika dhe konkurrenca. Mendoj se të gjitha këto përvoja më kanë formuar si futbollist dhe përpiqem t’i zbatoj çdo ditë, si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje”, shprehet ai.






